Abdixhiku: LDK nuk vjen të pastrojë të shkuarën, por të ndërtojë të ardhmen e Kosovës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku tha se ekipi i tij nuk vjen për të pastruar të shkuarën e as të përçajë popullin e Kosovës.

Në tubimin përmbyllës të fushatës në Prishtinë, ai tha se “LDK nuk është parti e momentit, por e momenteve historike” dhe se vetëm kjo parti mund ta nxjerrë vendin nga kriza pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kreu i LDK-së tha se lista prej 110 kandidatëve është shpresa e vendit, dhe se ky vizion është më i nevojshëm se kurrë.

“Ky ekip nuk vjen të pastrojë të shkuarën. Vjen të ndërtojë të ardhmen. Ekipi ynë nuk vjen të përçajë popullin e Kosovës. Vjen t’i bashkojë njerëzit. Ekipi ynë nuk vjen të flasë për fajet e të tjerëve. Vjen të punojë për të mirën e secilit; dhe një të ardhme të bukur që na qëndron para neve e na thërret me ngulm. Kosova duhet të ecë drejt asaj të ardhme, duke u çliruar nga e tashmja ngulfatëse që na mbanë te momentet përçarëse. Vizioni ynë është i qartë, është perëndimor dhe i pakthyeshëm. Ne besojmë te Kosova e hapur, jo e mbyllur. Te Kosova me aleatë, jo Kosova në përballje me ta. Te Kosova që merr pjesë në botë, jo Kosova që fshihet. Te drejtësia që funksionon, tek ekonomia që zhvillohet, te punësimi që krijohet, tek arsimi që edukon, te mjekësia që shëron, te siguria që garanton, te diplomacia që respektohet”, përfundoi ai.