Analiza e DW: Përgatitjet e fundit për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë
Fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit është në fazën finale, ndërkohë që edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, po bën tashmë përgatitjet e fundit për ditën e dielë kur mbahet procesi i votimit. KQZ tashmë ka certifikuar listat votuese dhe partitë politike, si dhe ka përcaktuar edhe qendrat e votimit në Kosovë dhe jashtë saj.
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote, sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues. Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Qendra votimi do të ketë edhe jashtë Kosovës, ku votimi fizik organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në disa shtete të botës. Mbi 84 mijë qytetarë jashtë Kosovës kanë aplikuar për votim dhe nga to 76 mijë aplikime janë miratuar, që përfshijnë votimin me postë dhe votimin fizik në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit në Kosovë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 67 për qind janë burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra. “Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ nuk ka obligim të drejtpërdrejtë ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30 për qind në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve. Megjithatë, në aktin nënligjor për themelimin dhe përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, KQZ ka përcaktuar këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor”, deklaron kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit garon edhe Lista Srpska, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me insistimin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes në këtë organ, edhe kësaj radhe tentoi që mos ta certifikojë Listën Srpska, por ishte Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP, që urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Srpska dhe kjo parti tashmë zyrtarisht merr pjesë në zgjedhje. Tentimi për mos ta certifikuar Listën Srpska nxiti reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtar. Ambasada e SHBA-së në Kosovë tha se “përjashtimi i një partie që përfaqëson komunitetin serb do të dëmtonte standardet demokratike, përfshirjen e komuniteteve dhe stabilitetin rajonal”, duke nënvizuar se një proces zgjedhor i besueshëm duhet të jetë gjithëpërfshirës. Edhe Bashkimi Evropian pati shprehur shqetësim serioz, duke vlerësuar se politizimi i procesit të certifikimit në KQZ është i dëmshëm për integritetin e zgjedhjeve. BE theksoi se “pjesëmarrja e partive të komuniteteve joshumicë është thelbësore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për përputhjen e Kosovës me standardet evropiane”. Për OSBE-në, tentimi për ta penguar Listën Srpska që të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë “mund të perceptohej si shkelje e parimeve të zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, duke rrezikuar kredibilitetin ndërkombëtar të procesit zgjedhor në Kosovë”.
