Trump kundër "Deep State"/ SHBA tërheq ambasadorët nga Afrika dhe Ballkani, presidenti amerikan kërkon besnikërinë diplomatike

Administrata Trump ka vendosur të tërheqë rreth 30 ambasadorë dhe diplomatë të lartë amerikanë nga misionet jashtë SHBA-së.

Sipas “The Guardian”, kjo lëvizje nuk është rutinë, sepse diplomatët e karrierës zakonisht qëndrojnë në detyrë edhe kur ndryshon administrata, për të garantuar vazhdimësi dhe neutralitet politik në diplomaci.

Vendimi lidhet me strategjinë e Trump për të zëvendësuar figura profesionale të shërbimit civil me persona që konsiderohen më besnikë ndaj politikave të tij, veçanërisht doktrinës “America First”.

Kritikat thonë se kjo përbën një “pastrim” të të ashtuquajturit deep state, pra strukturave të qëndrueshme institucionale që nuk varen nga ciklet politike.

Afrika është rajoni më i prekur, por tërheqjet kanë prekur edhe Ballkanin Perëndimor, konkretisht Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas Departamentit të Shtetit, ambasadorët janë përfaqësues personalë të Presidentit dhe ai ka të drejtë të zgjedhë njerëz që mbështesin drejtpërdrejt agjendën e tij politike.