India reformon programin e punës/ Skema garanton punë dhe të ardhura për familjet rurale
India ka ndërmarrë një reformë të thellë të skemës së saj historike të garantimit të punës në zonat rurale, një nga programet sociale më të mëdha në botë. Ndryshimet kanë hapur debat të fortë politik dhe akademik mbi të ardhmen e mbrojtjes sociale për miliona familje të varfra.
India është shtëpia e një prej programeve sociale më ambicioze në botë, që u garanton familjeve rurale të drejtën ligjore për punë të paguar.
Skema Kombëtare e Garancisë së Punës Rurale, e nisur në vitin 2005, u jepte çdo familjeje rurale të drejtën për të kërkuar deri në 100 ditë punë manuale në vit me pagë minimale të përcaktuar me ligj.
Programi u bë një shtyllë e jetesës në fshat, në një vend ku rreth 65% e popullsisë jeton në zona rurale dhe pothuajse gjysma varet nga bujqësia, një sektor me të ardhura të ulëta. Me kalimin e viteve, skema u shndërrua në një mjet kyç kundër varfërisë, me pjesëmarrje të lartë të grave dhe komuniteteve më të margjinalizuara.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi, ndonëse fillimisht kritike, iu rikthye programit gjatë krizave, veçanërisht gjatë pandemisë së Covid-19, kur kërkesa për punë rurale u rrit ndjeshëm.
Javën e kaluar, autoritetet miratuan një ligj të ri që shfuqizon dhe ribrendon skemën, e cila që nga viti 2009 mbante emrin e Mahatma Gandhi. Ndryshimet nuk janë vetëm simbolike: ligji i ri rrit tavanin e ditëve të garantuara nga 100 në 125, por ndryshon ndjeshëm modelin e financimit, duke e zhvendosur një pjesë më të madhe të kostove te qeveritë e shteteve federale.
Nëse më parë qeveria qendrore mbulonte pothuajse të gjitha pagat, tani raporti kalon në 60:40, duke rritur presionin mbi buxhetet lokale. Kritikët paralajmërojnë se kufizimi i fondeve dhe centralizimi i vendimmarrjes mund ta kthejnë një të drejtë ligjore në një skemë diskrecionale.
Akademikë dhe organizata ndërkombëtare druhen se, pavarësisht rezultateve të provuara në uljen e varfërisë, reforma mund të dobësojë mbrojtjen sociale në një vend që ende lufton për të krijuar mjaftueshëm vende pune cilësore jashtë bujqësisë.

