TARIFA KINEZE NDAJ QUMËSHTIT/ Pekini godet importet e BE-së mes tensioneve tregtare
Kina do të vendosë tarifa të larta për produktet e qumështit të importuara nga Bashkimi Evropian. Masat hyjnë në fuqi më 23 dhjetor dhe arrijnë deri në 42.7 për qind. Vendimi vjen në kuadër të tensioneve të vazhdueshme tregtare mes Pekinit dhe Brukselit.
Kina ka njoftuar se do të vendosë tarifa të përkohshme prej 21.9 deri në 42.7 për qind për disa produkte qumështi të importuara nga Bashkimi Evropian, duke filluar nga 23 dhjetori.
Vendimi pason një hetim mbi subvencionet shtetërore, të nisur më shumë se një vit më parë. Sipas Ministrisë kineze të Tregtisë, të dhënat paraprake tregojnë se produktet e qumështit nga BE-ja po subvencionohen dhe po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në industrinë vendase kineze.
Masat shihen si pjesë e tensioneve tregtare mes Kinës dhe Bashkimit Evropian, të cilat u përshkallëzuan në vitin 2023, pasi Komisioni Evropian nisi një hetim mbi subvencionet për makinat elektrike të prodhuara në Kinë.
Në përgjigje, Pekini nisi hetime për importet nga BE-ja, përfshirë konjakun, mishin e derrit dhe produktet e qumështit veprime që konsiderohen nga analistët si hakmarrje tregtare.
Sipas autoriteteve kineze, kompanit italiane, nisin me njw tariff më të ulët prej 21.9 për qind, deri tek me e lartë, 42.7 për qind.
Një duzinë kompanish franceze do të paguajnë tarifa prej 29.7 për qind, ndërsa rreth 50 kompani të tjera nga vende si Italia, Franca dhe Gjermania do të përballen me norma prej 28.6 për qind.
Bashkimi Evropian ishte partneri i dytë më i madh tregtar i Kinës në produktet e qumështit, pas Zelandës së Re, sipas të dhënave doganore kineze për vitin 2023.
Megjithatë, Pekini ka deklaruar se mbetet i hapur për dialog dhe konsultime me BE-në, duke theksuar se synon menaxhimin e fërkimeve tregtare dhe ruajtjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy palëve.
