Në 2026 Japonia rivë në punë centralin bërthamor, u mbyll pas tërmetit 2011
Japonia ka hedhur hapin e fundit për rikthimin në funksion të centralit më të madh bërthamor në botë, gati 15 vjet pas katastrofës së Fukushimës. Vendimi ka thelluar ndarjet mes autoriteteve dhe komunitetit lokal, mes shqetësimeve për sigurinë dhe nevojës për energji.
Në 2026 Japonia rivë në punë centralin bërthamor që u mbyll pas tërmetit 2011
Votë vendimtare për rikthimin e energjisë bërthamore
Protesta dhe frikë e vazhdueshme e banorëve lokalë
Siguria energjetike dhe kthesa strategjike e Japonisë
Japonia ka marrë vendimin përfundimtar që i hap rrugën rifillimit të operimit të centralit bërthamor Kashiwazaki-Kariwa, pas një vote rajonale të zhvilluar të hënën në prefekturën Niigata.
Centrali, i vendosur rreth 220 kilometra në veriperëndim të Tokios, u mbyll pas tërmetit dhe cunamit të vitit 2011 që çuan në katastrofën e Fukushimës, duke shënuar aksidentin më të rëndë bërthamor që nga Çernobili.
Që atëherë, Japonia ka rikthyer gradualisht në punë 14 nga 33 reaktorët ende të operueshëm, në përpjekje për të ulur varësinë nga karburantet fosile të importuara.
Vota e së hënës, që konfirmoi mbështetjen për guvernatorin e Niigatës, Hideyo Hanazumi, u konsiderua si pengesa e fundit përpara rifillimit të operacioneve nga kompania TEPCO, e njëjta që menaxhonte centralin e Fukushimës.
Megjithatë, seanca e asamblesë nxori në pah përçarjet e forta në komunitet, me deputetë që e cilësuan vendimin si një kompromis politik që injoron vullnetin e banorëve.
Jashtë ndërtesës, qindra protestues dolën në të ftohtë me pankarta kundër energjisë bërthamore, duke shprehur frikën se një aksident i ri do të kishte pasoja të rënda.
TEPCO po shqyrton mundësinë e rikthimit në punë të reaktorit të parë më 20 janar, ndërsa kapaciteti total i centralit prej 8.2 gigavatësh mund të furnizojë me energji disa milionë shtëpi.
Qeveria japoneze, e udhëhequr nga kryeministrja Sanae Takaichi, e sheh rikthimin e energjisë bërthamore si kyç për sigurinë energjetike, përballë kostove të larta të importeve dhe rritjes së pritshme të kërkesës për energji në vitet e ardhshme.
