KINA RRIT TAKSËN PËR KONTRACEPTIVËT/ Masë simbolike për të nxitur lindjet, por me reagime të forta publike

Kina do të rrisë taksimin mbi prezervativët dhe kontraceptivët në përpjekje për të frenuar rënien e lindshmërisë. Nga 1 janari, këto produkte do t’i nënshtrohen një TVSH-je prej 13%. Vendimi ka shkaktuar reagime dhe kritika në rrjetet sociale.

Kina ka vendosur të rrisë taksimin mbi prezervativët dhe kontraceptivët për herë të parë pas më shumë se tre dekadash, në kuadër të përpjekjeve për të përballuar rënien e vazhdueshme të lindshmërisë.

Nga 1 janari, këto produkte do t’i nënshtrohen një tatimi mbi vlerën e shtuar prej 13%, nga i cili ishin të përjashtuara që prej vitit 1993.

Masa është pjesë e një ligji të ri për modernizimin e sistemit fiskal, miratuar në vitin 2024, ndërsa TVSH-ja përbën rreth 40 për qind të të ardhurave totale tatimore të Kinës.

Megjithatë, vendimi shihet edhe si pjesë e strategjisë së qeverisë për të inkurajuar lindjet, pas dekadash politikash të rrepta të kontrollit të popullsisë.

Autoritetet kineze kanë ndërmarrë ndër vite një sërë masash stimuluese, përfshirë lejimin e deri në tre fëmijë për familje, subvencione financiare, mbështetje për fertilizimin in vitro dhe leje shtesë për çiftet e sapomartuara.

Paralelisht, janë miratuar lehtësime fiskale për shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe martesat.

Rritja e taksës mbi kontraceptivët ka nxitur reagime ironike dhe kritike në rrjetet sociale, ku përdoruesit e konsiderojnë masën si të tepruar dhe simbolike.

Ekspertët vlerësojnë se ndikimi në rritjen e lindshmërisë do të jetë minimal, ndërsa paralajmërojnë se kufizimi i aksesit në kontracepsion mund të ketë pasoja negative, veçanërisht për gratë.

Pavarësisht masave të ndërmarra, Kina vijon të përballet me një popullsi në tkurrje dhe plakje të shpejtë, ndërsa lindshmëria mbetet shumë më e ulët se nivelet historike.