Gjermania miraton 50 miliardë euro për riarmatosjen, shifra më e madhe në histori që nga Lufta e Dytë Botërore
Ligjvënësit gjermanë miratuan dje rreth 50 miliardë euro (59 miliardë dollarë) për blerje ushtarake, ndërsa Berlini përshpejton shpenzimet e mbrojtjes përballë një Rusie armiqësore dhe shenjave të dobësimit të angazhimeve të sigurisë nga Uashingtoni.
Lista e gjerë e prokurimeve varionte nga raketat te artileria, torpedot, automjetet e blinduara, sistemet satelitore dhe uniformat e reja, ndërsa Berlini nxiton të rifuqizojë Bundeswehr-in e lënë pas dore prej kohësh.
Zyrtarët thanë se blerjet e reja, të miratuara nga komisioni i buxhetit të parlamentit, nënkuptojnë se një numër “historik” blerjesh në mbrojtje janë miratuar këtë vit, me vlerë gati 83 miliardë euro.
“Ne po përmbushim detyrimet tona ndaj aleancës dhe po pranojmë përgjegjësinë tonë për sigurinë dhe paqen në Evropë”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Gjermania hoqi dorë nga një traditë e gjatë pacifiste e formuar nga e kaluara e saj e errët e Luftës së Dytë Botërore dhe filloi të rrisë shpenzimet për të riforcuar forcat e armatosura.
Shenjat e dobësimit të angazhimit të Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë së Evropës që nga kthimi i presidentit të SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë e nxitën më tej Gjermaninë dhe pjesën tjetër të kontinentit të përshpejtojë riarmatimimin e saj.
Kancelari Friedrich Merz, i cili mori detyrën në maj, i ka dhënë kësaj iniciative një vrull edhe më të madh, duke përjashtuar shpenzimet e mbrojtjes nga rregullat e rrepta të borxhit për të liruar më shumë fonde.

