Fermerët bllokojnë rrugët në Bruksel, protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur
Demonstruesit me traktorë që kundërshtojnë marrëveshjen BE-Mercosur u mblodhën sot pranë ndërtesës “Europa”, ku udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të BE-së u takuan për të diskutuar ndryshimin ose shtyrjen e marrëveshjes tregtare, ndërsa një tubim i tjetër u mblodh në “Place Luxembourg”, vetëm pak hapa larg Parlamentit Evropian, sipas “Euronews”.
Marrëveshja, e cila do të eliminonte tarifat për pothuajse të gjitha mallrat e tregtuara midis BE-së dhe pesë vendeve të “Mercosur” – Brazilit, Argjentinës, Uruguait, Paraguait dhe Bolivisë – gjatë 15 viteve, përballet me një rezistencë në rritje.
Italia sinjalizoi dje se i ishte bashkuar Francës – duke kundërshtuar paktin transatlantik të tregtisë së lirë, pasi kryeministrja Giorgia Meloni i tha parlamentit se nënshkrimi i marrëveshjes do të ishte i parakohshëm dhe se Italia kërkonte garanci reciproke të mjaftueshme për sektorin tonë bujqësor përpara se të miratonte marrëveshjen.
Presidenti francez, Emmanuel Macron mbërriti sot në samit duke mbajtur qëndrimin e tij kundër dhe duke bërë thirrje për negociata të mëtejshme në janar.
“Ne nuk jemi gati. Nuk funksionon. Kjo marrëveshje nuk mund të nënshkruhet”, tha Macron.
Macron tha se kishte diskutuar shtyrjen e marrëveshjes me homologët nga Italia, Polonia, Belgjika, Austria dhe Irlanda.
Qeveria e tij ka kërkuar masa mbrojtëse kundër përçarjeve ekonomike, rregullore më të rrepta për vendet e “Mercosur”, duke përfshirë kufizimet e pesticideve, dhe inspektime të shtuara në portet e BE-së.
Qëndrimi i Italisë i jep Francës vota të mjaftueshme për të vënë veton ndaj nënshkrimit të planifikuar të marrëveshjes nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të shtunën – pasi ajo kërkon mbështetje nga të paktën dy të tretat e vendeve të BE-së për të vazhduar me marrëveshjen.
“Kjo nuk do të thotë që Italia synon të bllokojë ose kundërshtojë marrëveshjen, por se synon ta miratojë marrëveshjen vetëm kur ajo te përfshije garanci reciproke të mjaftueshme”, tha Meloni.

