“AKSHI-GATE”/ Pas 6 orësh seancë, GJKKO lë në fuqi masat për Mirlinda Karçanajn dhe anëtarët e “grupit të strukturuar kriminal”. Lehtësohet masa për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës
Pas afro 6 orësh seancë, GJKKO lë në fuqi masat për Mirlinda Karçanajn dhe anëtarët e “grupit të strukturuar kriminal”.
Ndërkaq është lehtësuar vetëm masa për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës Erjon Ismailit, ndaj të cilit mbetet në fuqi masa e pezullimit nga detyra, ndërsa i është hequr masa e ndalimit për daljen jashtë shtetit.

TË DYSHUARIT DHE MASAT:
Ergys Agasi, biznesmen – “arrest me burg”
Ermal Beqiri, biznesmen – “arrest me burg”
Mirilda Karçanaj, drejtoreshë e AKSHI – “arrest në shtëpi”
Hava Delibashi, zv.drejtoreshë e AKSHI – “arrest në shtëpi”
Andis Papa, biznesmen – “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Gëzim Hoxha, biznesmen – “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Rogers Rryta, biznesmen – “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës – “pezullim nga detyra”
SEANCA E SOTME
Kujtojmë se seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj drejtuesve të AKSHI-t, është ndërprerë për rreth tre orë, pas kërkesës së mbrojtjes për t’u njohur me materialet e dosjes hetimore.

Avokatët e zyrtarëve të lartë kërkuan kohë shtesë, duke argumentuar se nuk kanë pasur mundësi të shqyrtojnë plotësisht provat dhe dokumentacionin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.
Gjykata pranoi kërkesën dhe vendosi shtyrjen e përkohshme të seancës.
HETIMET E SPAK
Kujtojmë qe te martën (16 dhjetor) SPAK dhe BKH goditen një grup të dyshuar kriminal, i cili akuzohet se manipulonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, përmes pengmarrjes apo dhunës.
Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në “arrest shtëpie”.
Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin, një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.
“Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Drejtoresha e AKSHI-t në hetim per 12 tendera
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
SPAK është duke hetuar për 12 procedura tenderuese, në vlera të konsiderueshme që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme.
Nga hetimet rezulton se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin dhe në këtë mënyrë, ata arrinin të fitonin edhe milionat.
AKSHI është një institucion i vënë në qendër të akuzave dhe madje një prej ish-zyrtarëve të saj, Daniel Shima, u zhduk në mënyrë të dyshimtë për 10 orë me radhë ku mendohet të jetë mbajtur peng nga një grup kriminal në Elbasan.
Klienti kryesor i AKSHI-t është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili njihet si “gllabëruesi” i parave publike përmes tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).


