VIDEO/ Vijon lirimi i hapësirave publike edhe në zonat bregdetare

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për prishjen e godinave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

“Vijojmë punën”, shkruan Rama, duke theksuar vendosmërinë e institucioneve për të vijuar aksionin në të gjithë vendin.

Në të gjithë territorin e vendit po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, në kuadër të një nisme që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”. Nisma ka marrë udhë që prej muajit korrik dhe është konceptuar si një ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet si për pushtetin vendor, ashtu edhe për atë qendror.

Qeveria shqiptare gjithashtu ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që shkelin ligjin, me qëllim garantimin e një zhvillimi urban të rregullt dhe në funksion të interesit publik.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë pasur edhe denoncimet e qytetarëve, të cilat realizohen përmes portalit të posaçëm “Hapësira ime publike”.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë raportuar 16 958 raste, nga të cilat 13 064 janë zgjidhur, ndërsa 3 894 raste janë ende në proces shqyrtimi.