Shkupi provokon Athinën me deklaratat për emrin, reagim i fortë grek
Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Mickoski, lidhur me përdorimin e emrit “Maqedoni” në praktikë.
Athina rikujton se emri kushtetues i vendit fqinj është “Republika e Maqedonisë së Veriut”, një emërtim i detyrueshëm sipas Marrëveshjes së Prespës, që përbën pjesë të Kushtetutës së vendit dhe është detyrues për të dyja palët, si në nivel ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të brendshëm.
Reagimi i Athinës vjen pas pretendimeve të Mickoskit se opozita maqedonase përdor termin “Maqedoni” duke anashkaluar përcaktimin “Veriore”, duke argumentuar se emri është “rikthyer në praktikë”.
Greqia thekson se Marrëveshja e Prespës është pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe se çdo përpjekje për ndryshimin e përmbajtjes së saj nuk do të pranohet, duke nënvizuar se përparimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut varen nga respektimi i plotë i marrëveshjes.
Deklarata e Athinës shërben si paralajmërim i qartë ndaj çdo përpjekjeje politike për të shmangur ose ndryshuar përdorimin e emrit zyrtar, duke ripërsëritur se vetëm “Maqedonia e Veriut” ka vlerë ligjore dhe ndërkombëtare.

