BE HEQ MASAT, LESHON FONDET/ BE nis lehtësimin e masave ndëshkuese për Kosovën pas zhvillimeve në veri

Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e disa masave ndaj Kosovës dhe ka filluar të lirohen fonde për katër projekte në vlerë 34.6 milionë euro. Ndërsa masat ndëshkuese nuk hiqen ende plotësisht.

Bashkimi Evropian ka nisur heqjen graduale të disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, duke liruar fondet për katër projekte konkrete zhvillimore.

Lajmi është bërë i ditur nga Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, pas një letre zyrtare të pranuar nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman. Në letër thuhet se janë liruar mjetet financiare për katër projekte të programit IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

Vendimi i Brukselit vjen si rezultat i asaj që BE e ka vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri të Kosovës”, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, proces që sipas BE-së u zhvillua në mënyrë ligjore dhe të qetë.

Autoritetet e Kosovës e kanë përshëndetur këtë hap, duke kërkuar heqjen e plotë të masave ndëshkuese. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se nuk ka më arsye që masat të mbeten në fuqi, veçanërisht pas normalizimit institucional në katër komunat veriore.

Megjithatë, Bashkimi Evropian bën të ditur se jo të gjitha masat do të hiqen gjatë këtij viti. Kosova pritet të dorëzojë projektet për fondet e IPA-s për periudhën 2026–2027, të cilat duhet të miratohen nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare.

Në të njëjtën kohë, BE kërkon nga Kosova përshpejtim të reformave dhe zbatim të marrëveshjeve me Serbinë, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim në BE. Çështja e heqjes së masave dhe avancimit të integrimit evropian pritet të jetë në fokus të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.