KQZ përfundon verifikimin paszgjedhor të 11 majit dhe 9 nëntorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi sot verifikimin paszgjedhor për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025 dhe për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 9 nëntor 2025.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi theksoi se për verifikimin paszgjedhor u përzgjodhën në mënyrë rastësore të 5% të qendrave të votimit për çdo KZAZ si dhe 5% të kutive të votimit për çdo Komision të Administrimit të Votimit nga Jashtë.

“Në procesin e përzgjedhjes së QV-ve dhe KAVJ nuk u përfshinë kutitë e votimit të cilat janë rinumëruar përgjatë procesit të shqyrtimit të ankimimeve, ato që janë në proces hetimi penal për të cilat ka vendim sekuestrimi apo në pritje të tij”, vuri në dukje kryekomisioneri Celibashi.

Sipas tij, për zgjedhjet e datës 11 maj 2025, përzgjedhjes rastësore iu nënshtruan 3101 kuti votimi nga QV-të brenda vendit dhe 874 kuti votimi nga votimi jashtë vendit.

“Këqyrjes së mëpasshme iu nënshtruan 210 qendra votimi dhe kuti të Administrimit të Votimit nga Jashtë për zgjedhjet për Kuvend dhe 24 Qendra Votimi për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie”, nënvizoi Celibashi.

Procesi i verifikimit paszgjedhor u transmetua në kohë reale në mediat sociale të KQZ-së dhe rezultatet e verifikimit u pasqyruan gjithashtu në kohë reale në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Verifikimi paszgjedhor kryhet në zbatim të nenit 167/2 të Kodit Zgjedhor dhe bëhet vetëm pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar, të jenë përmbyllur procedurat ankimore dhe zgjedhjet të kenë përfunduar.

“Qëllimi i këqyrjes së mëpasshme e fletëve të votimit dhe e materialit zgjedhor është verifikimi i rregullsisë dhe saktësisë së veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave”, nënvizoi Celibashi.

Pas analizimit të të dhënave të verifikimit paszgjedhor, KQZ do të dalë me konkluzione mbi gjetjet e këtij procesi.