FOTO/ Familja shqiptare fle në rrugë para bashkisë, nuk duan të kthehen në Shqipëri

Një familje, e cila ka ikur nga vendi i saj, ndodhet pa strehë prej disa muajsh në Montpelje të Francës. Të vendosur prej një jave në sheshin përpara Bashkisë, së bashku me katër fëmijët e tyre, ata presin një strehim emergjent. Rreth gjashtëdhjetë persona u mobilizuan mbrëmjen e së hënës në shenjë mbështetjeje

Nga Estelle Romeur, FRANCE BLEU

Ndërsa po afrohet periudha e festave, një familje e tërë vazhdon të jetojë në rrugë në qytetin e Montpeljesë. Një çift shqiptarësh, që kanë ikur nga vendi i tyre, dhe katër fëmijët e tyre, mes të cilëve edhe një foshnjë 20-muajëshe e sëmurë, nuk kanë përfituar ende strehim emergjent, pavarësisht telefonatave të përditshme në numrin 115. Prej një jave, ata flenë në sheshin përpara Bashkisë së Montpeljesë.

Një tubim solidariteti u organizua të hënën në mbrëmje në Montpeje nga shoqatat “Un toit, un avenir et solidarité partagée”, të cilat i shoqërojnë dhe i mbështesin. Rreth 60 persona u mblodhën përpara Bashkisë.

Kjo situatë është e vështirë për t’u përballuar për Samuel Forest: “Kjo situatë është e papranueshme. Fëmijët sëmuren nga të ftohtit. Është gjithmonë kështu. Kemi parë familje me fëmijë që qëndrojnë deri në katër muaj në rrugë. Kjo nuk është normale. Prefektura nuk po e bën pjesën e saj”, shprehet me indinjatë presidenti i shoqatës ‘Solidarité Partagée’, e cila po e ndjek këtë familje prej javësh.

Qëllimi i tij është ta bëjë të dukshme situatën në këtë familje, me shpresën që situata të ndryshojë.

Nga ana tjetër, Prefektura mban qëndrimin se kjo familje nuk është prioritet për përfitimin e strehimit emergjent. Ky vendim justifikohet me faktin se familja ndodhet në situatë të parregullt dhe se Gjykata Administrative e Montpeljesë, më 8 dhjetor, ka rrëzuar kërkesën e tyre për të përfituar strehim emergjent.

Një justifikim që, sipas Samuel Forest, nuk merr parasysh aspektin njerëzor: “Është një situatë që nuk evoluon, që nuk ndryshon. Nuk ka vullnet të mirë”.

Sipas tij, edhe Bashkia e Montpeljesë, e kontaktuar nga shoqata, është e angazhuar për këtë çështje.

Një tubim i ri solidariteti është parashikuar për të dielën, më 21 dhjetor, në orën 14:00, në sheshin përpara Bashkisë së Montpeljesë.