FRANCA HEQ VETON PËR MALIN E ZI/ Podgorica mbyll 5 kapituj negociatash me BE-në. Qeveria: Në BE deri në 2028

Franca heq veton dhe zhbllokon negociatat e Malit të Zi me BE-në. Podgorica mbyll pesë kapituj të rëndësishëm këtë të martë në Bruksel. Qeveria synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian deri në 2028.

Mali i Zi shënon një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi Franca ka hequr veton që kishte bllokuar procesin e negociatave.

Vendimi i Parisit i hapi rrugë Podgoricës që këtë të martë të mbyllë pesë kapituj negociatash me BE-në, duke e rikthyer vendin në ritmin e shpejtë të integrimit europian.

Kapitujt që mbyllen përkohësisht kanë të bëjnë me lirinë e ofrimit të shërbimeve, lëvizjen e lirë të kapitalit, të drejtën tregtare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe peshkimin.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, falënderoi Francën për ndryshimin e qëndrimit, duke e cilësuar këtë një mundësi për vendin që të dëshmojë seriozitetin në procesin e zgjerimit.

Spajiç theksoi se Mali i Zi synon realisht të mbyllë të gjitha negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe të jetë gati për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian në vitin 2028, si anëtari i 28-të i bllokut.

Deri më tani, Podgorica ka hapur të gjithë 33 kapitujt e negociatave, por vetëm shtatë prej tyre janë mbyllur përkohësisht. Procesi ishte vënë në pikëpyetje në fillim të dhjetorit, kur Franca vendosi një veto të papritur, e cila në Podgoricë u lidh më shumë me zhvillimet politike të brendshme në Francë sesa me reformat në Mal të Zi.

Ndryshimi i qëndrimit të Parisit erdhi vetëm disa orë pasi kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Bashkimi Europian duhet të nisë punën për traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi. Një sinjal i fortë se Podgorica mbetet kandidati më i avancuar nga Ballkani Perëndimor drejt BE-së.