PANIK NË AJËR! Avioni JetBlue venezuelian shmang përplasjen me avion ushtarak amerikan

Një avion i kompanisë JetBlue ka ndërprerë ngjitjen në ajër për të shmangur një përplasje të mundshme me një avion furnizues të Forcave Ajrore të SHBA-së. Incidenti ndodhi gjatë një fluturimi nga Curaçao drejt Nju Jorkut, pranë hapësirës ajrore të Venezuelës. Piloti i JetBlue e cilësoi situatën si tejet të rrezikshme dhe akuzoi avionin ushtarak për mungesë sinjalizimi.

Një incident serioz ajror është regjistruar mbi Karaibe, ku një avion pasagjerësh i kompanisë JetBlue ka shmangur për pak një përplasje në ajër me një avion furnizues të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Bëhet fjalë për fluturimin JetBlue 1112, që ishte nisur nga ishulli Curaçao drejt aeroportit “John F. Kennedy” në Nju Jork. Gjatë ngjitjes, piloti u detyrua të ndalë manovrën pasi një avion ushtarak amerikan kaloi drejtpërdrejt në trajektoren e fluturimit, në të njëjtën lartësi.

Sipas regjistrimeve të komunikimit me kontrollin ajror, piloti i JetBlue deklaroi se distanca mes dy avionëve ishte vetëm 2 deri në 3 milje, duke shtuar se avioni ushtarak nuk kishte të aktivizuar transponderin, pajisjen që lejon identifikimin në radar.

Kontrollori ajror e përshkroi situatën si “të papranueshme” për shkak të pranisë së avionëve të paidentifikuar në hapësirën ajrore.

Piloti tha gjithashtu se avioni i Forcave Ajrore më pas u drejtua drejt hapësirës ajrore të Venezuelës, një zonë ku aktiviteti ushtarak është rritur ndjeshëm kohët e fundit.

Kompania JetBlue konfirmoi se incidenti është raportuar pranë autoriteteve federale, duke theksuar se ekuipazhi ka ndjekur procedurat standarde të sigurisë dhe ka vepruar në kohë për të shmangur rrezikun.

Nga ana tjetër, Pentagoni nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar, ndërsa Forcat Ajrore të SHBA-së nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Incidenti vjen në një kohë kur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka paralajmëruar aviacionin amerikan të tregojë kujdes të shtuar në dhe rreth hapësirës ajrore të Venezuelës, për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë dhe aktivitetit të shtuar ushtarak.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e fluturimeve civile në zona ku operojnë njëkohësisht avionë ushtarakë dhe pasagjerësh.