Kaja Kallas: Bisedimet për kredinë e dëmshpërblimeve gjithnjë e më të vështira

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha sot se bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje për mbështetje financiare për Ukrainën për vitet e ardhshme po dëshmohen të vështira.

“Opsioni më i besueshëm është kredia e dëmshpërblimeve, dhe kjo është ajo mbi të cilën po punojmë”, tha ajo, duke mbërritur në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Bruksel.

Takimi i ministrave vjen disa ditë përpara samitit të BE-së në Bruksel, ku udhëheqësit duhet të vendosin nëse janë të gatshëm të vënë në dispozicion asetet shtetërore ruse të ngrira në BE, për Ukrainën, si një kredi për të mbuluar nevojat financiare afatgjata të vendit.

Vendet e BE-së ranë dakord të premten, me shumicë të madhe për të ngrirë për një kohë të pacaktuar asetet shtetërore ruse në BE, me vlerë rreth 210 miliardë euro – duke kapërcyer pengesën e parë në vënien në dispozicion të parave për Ukrainën si një kredi dëmshpërblimi.

“Marrëveshja për opsione të tjera financimi, si marrja e borxhit të përbashkët për grante të reja për Ukrainën, ka rezultuar e pamundur në të kaluarën pasi ato kishin nevojë për miratim unanim midis të gjithë anëtarëve të BE-së”, tha Kallas.

“Kredia e dëmshpërblimeve kërkon vetëm një shumicë votash”, tha shefja e punëve të jashtme të BE-së.

“Por, vendet e BE-së nuk duhet ta mposhtin Belgjikën me vota, ku pjesa më e madhe e fondeve ruse mbahen në depozitën financiare “Euroclear”, shtoi Kallas.

Belgjika, deri më tani i ka rezistuar planit, duke pasur frikë se ai e ekspozon vendin ndaj rreziqeve të mëdha ligjore dhe financiare.

“Mendoj se është e rëndësishme që ata të jenë dakord me çfarëdo që bëjmë ne”, tha ajo.

Rënia dakord për kredinë e dëmshpërblimeve do të dërgonte një sinjal të qartë se – nëse i shkakton dëme një vendi tjetër, duhet të paguash për dëmshpërblimin”, tha Kallas.