FITON E DJATHTA EKSTREME NË KILI/ Jose Antonio Kast president i ri, i jep fund qeverisjes së qendrës së majtë
Jose Antonio Kast ka fituar zgjedhjet presidenciale në Kili, duke u bërë presidenti i 38-të i vendit. Kandidati i së djathtës ekstreme mundi në balotazh ish-ministren e Punës, Jeanete Jara me 58% të votave. Rezultati shënon një kthesë të fortë politike në Kili dhe forcimin e së djathtës në Amerikën Latine
Kili ka zgjedhur presidentin e ri. Kandidati i së djathtës ekstreme, Jose Antonio Kast, ka fituar balotazhin presidencial dhe do të marrë drejtimin e vendit, duke larguar nga pushteti koalicionin qendër-të majtë që qeveriste deri tani.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Kast siguroi 58 për qind të votave, duke mundur kandidaten e qeverisë, ish-ministren e Punës Jeannette Jara, përfaqësuese e koalicionit “Uniteti për Kilin”. Jara e pranoi humbjen menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit dhe i uroi sukses presidentit të zgjedhur.
Në fjalimin e fitores, Kast e cilësoi rezultatin si një mandat të gjerë popullor, duke premtuar rikthimin e sigurisë dhe rendit në vend. Ai deklaroi se fitorja nuk është personale apo partiake, por një fitore për Kilin, “që nuk duhet të jetojë më me frikë”.
Zgjedhjet shënojnë një rikthim të fortë politik për Kastin, i cili kishte humbur bindshëm përballë presidentit në largim, Gabriel Boric, në zgjedhjet e vitit 2021. Boric, që ishte presidenti më i ri në historinë e Kilit, e përfundoi mandatin me rënie të ndjeshme të popullaritetit dhe nuk kishte të drejtë rikandidimi.
Fushata e Kastit u përqendrua te lufta kundër krimit dhe emigracionit, me premtime për masa të forta sigurie, dëbime masive dhe dënime më të ashpra për krimin e organizuar. Ai ka mbajtur gjithashtu qëndrime shumë konservatore në çështje sociale, përfshirë kundërshtimin e abortit edhe në raste përdhunimi.
Fitorja e tij konsiderohet historike, pasi është hera e parë që nga rikthimi i demokracisë në vitin 1990 që Kili do të qeveriset nga një forcë kaq konservatore.
Kast ka qenë shpesh objekt kritikash për deklaratat e tij në mbrojtje të ish-diktatorit Augusto Pinochet, periudhë e errët e historisë kiliane e shoqëruar me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ndërkohë, fitorja e Kastit është përshëndetur nga liderë të djathtë në rajon dhe SHBA, duke u parë si pjesë e një vale të re të forcimit të së djathtës në Amerikën Latine, pas fitoreve të ngjashme në Argjentinë dhe Ekuador.
Jose Antonio Kast do të betohet si president i Kilit më 11 mars, ndërsa pritet të përballet me një Kongres të përçarë, që mund të kufizojë zbatimin e disa prej reformave të tij më radikale.

