QIELLI LITUANEZ NËN KËRCËNIM! Dhjetëra balona kalojnë kufirin nga Bjellorusia! Vilnius shpall emergjencën: Sulm hibrid

Lituania ka shpallur gjendjen e emergjencës pasi dhjetëra balona gjigante të lëshuara nga Bjellorusia kanë cënuar sigurinë ajrore të saj. Autoritetet e konsiderojnë situatën një sulm hibrid politik, ndërsa Minsku mohon akuzat.

Lituania ka shpallur gjendje emergjence pasi dhjetëra balona gjigante, të lëshuara nga territori i Bjellorusisë, kanë kaluar kufirin duke cënuar sigurinë ajrore të vendit.

Sipas autoriteteve, brenda 10 javësh hapësira ajrore mbi Vilnius është mbyllur 15 herë, duke shkaktuar anulime dhe vonesa për mijëra pasagjerë.

Qeveria beson se incidentet nuk janë thjesht veprime të kontrabandistëve, por pjesë e një “sulmi hibrid” të organizuar nga Bjellorusia, aleati më i afërt i Rusisë.

“Balonat po lëshohen në zona që i drejtojnë qëllimisht drejt aeroportit. Kjo nuk është kontrabandë e zakonshme,” deklaroi ministri i Jashtëm, duke shtuar se Bjellorusia po përdor krimin e organizuar si mjet presioni politik ndaj BE-së.

Lituania ka intensifikuar masat e sigurisë në zonën kufitare. Patrulla të policisë ushtarake operojnë gjatë natës, radarë ushtarakë ndjekin balonat në ajër dhe po përgatiten dënime penale për sabotim ndaj aviacionit civil.

Qeveria ka ofruar gjithashtu 1 milion euro shpërblim për çdo zgjidhje teknologjike që mund të ndalojë balonat.

Këto të fundit fluturojnë në lartësi të mëdha, çka e bën të pamundur rrëzimin e tyre pa rrezikuar jetën e civilëve.

Bjellorusia ka mohuar akuzat dhe presidenti Aleksandër Lukashenko i ka quajtur pretendimet si të pavërteta.

Disa kompani ajrore kanë zhvendosur ose reduktuar fluturimet, ndërsa humbjet financiare për aeroportin dhe bizneset përreth pritet të arrijnë disa milionë euro deri në fund të vitit.

Qytetarët shprehen të shqetësuar, duke e parë situatën si një provë për sigurinë e NATO-s në kufijtë lindorë të Evropës.