Rusia kërcënon Evropën me hakmarrje për asetet, SHBA nis negociatat për garancitë e sigurisë ndaj Kievit
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë rritur ndjeshëm, teksa Moska paralajmëron hakmarrje për ngrirjen e aseteve ruse nga Bashkimi Evropian, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten të nisin negociata vendimtare për garancitë e sigurisë ndaj Ukrainës.
Bisedimet do të fokusohen fillimisht te garancitë e sigurisë, me Shtëpinë e Bardhë që sinjalizon gatishmërinë për të nënshkruar një angazhim ligjërisht të detyrueshëm për mbrojtjen e Ukrainës në rast të një agresioni të ri rus. Uashingtoni ka pranuar pjesërisht propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili ka shtuar presionin diplomatik për një marrëveshje të qartë sigurie.
Në takimin e së hënës në Berlin nuk do të marrin pjesë presidenti Donald Trump dhe as sekretari i Shtetit Marco Rubio. Në vend të tyre, SHBA do të përfaqësohet nga dy negociatorë të besuar të Trump: Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Prania e tyre shihet si sinjal se negociatat mund të jenë në një fazë vendimtare, edhe pse mbeten ende shumë çështje kyçe të pazgjidhura.
Ndërkohë, Moska po mban të lartë tensionin në terren dhe në retorikë. Nga njëra anë, Rusia ka intensifikuar bombardimet, përfshirë sulme masive ndaj Odesës. Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka cilësuar ngrirjen e aseteve ruse nga BE-ja si “një grabitje të thjeshtë dhe banale”, duke paralajmëruar se “veprimet hakmarrëse nuk do të vonojnë”.
Edhe kancelari Merz ka përdorur tone të ashpra. Ai e krahasoi pushtimin e Ukrainës me dorëzimin e Sudeteve Hitlerit në vitin 1938, duke paralajmëruar se “si atëherë, as kjo nuk do të mjaftojë dhe Putini nuk do të ndalet”.
Në Berlin, përveç Merz-it, pritet të jenë të pranishëm presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe liderë të tjerë evropianë.
Negociatat synojnë të lidhin dy çështje thelbësore: dorëzimin e mundshëm të territoreve nga Ukraina dhe krijimin e mekanizmave parandalues për të shmangur agresione të ardhshme ruse. Një nga idetë më të diskutuara është krijimi i një zone tampon të demilitarizuar mes palëve, e cila, sipas vizionit amerikan, mund të shndërrohet edhe në një zonë të lirë ekonomike.
Presidenti rus Vladimir Putin këmbëngul që Ukraina të dorëzojë edhe pjesën e mbetur të Donbasit që ende kontrollon. Kjo kërkesë është refuzuar deri tani nga Kievi, megjithëse presioni ndërkombëtar është në rritje. Presidenti Zelensky ka sinjalizuar se është i gatshëm të shqyrtojë opsione si referendum apo zgjedhje politike për t’ia lënë vendimin popullit, në këmbim të një marrëveshjeje paqeje dhe garancish të forta sigurie.
Administrata Trump, sipas mediave amerikane, po shqyrton mundësinë që këto garanci të formalizohen përmes një akti të votuar nga Kongresi, duke i bërë ato ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, mbetet e paqartë se cili do të jetë kontributi konkret ushtarak i vendeve evropiane në këtë skemë sigurie.
Në një klimë konfuzioni diplomatik dhe presioni të lartë politik, bisedimet e Berlinit priten të jenë vendimtare për të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe arkitekturën e sigurisë në Evropë.

