Elon Musk përplaset sërish me BE-në: “Von der Leyen nuk është e zgjedhur, ja kë duhet të votoni

Elon Musk ka shprehur sërish mbështetjen e tij për eurodeputetin qipriot Fidi Panajotu, duke e propozuar atë si kandidat për president të Bashkimit Evropian.

Reagimi i Musk erdhi pas publikimit të një videoje nga Panajotu, ku eurodeputeti i ri ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si zgjidhet aktualisht presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në video, Panajotu shprehet se kreu i Bashkimit Evropian nuk zgjidhet në mënyrë demokratike.


“Dua që drejtuesi i Bashkimit Evropian, që aktualisht është Ursula von der Leyen, të zgjidhet në mënyrë demokratike, sepse sot kjo nuk ndodh. Ajo vjen në Parlamentin Evropian dhe ne themi ‘po’ ose ‘jo’, por mendoj se kjo është më shumë shfaqje sesa votim real, pasi ajo ka bërë marrëveshje me të gjitha partitë politike që më parë për ta votuar. Kjo nuk është aspak demokratike dhe duhet ndryshuar”, dëgjohet të thotë Panajotu në video.

Një qëndrim që duket se gjen mbështetje edhe te miliarderi amerikan Elon Musk, i cili ka reaguar pozitivisht ndaj deklaratave të eurodeputetit qipriot, duke e propozuar atë për një rol drejtues në Bashkimin Evropian.