EMRAT/ Konflikti mes fqinjëve në Patos, plagoset 41-vjeçari, në pranga autori

Një përleshje e rëndë mes fqinjësh ka ndodhur ditën e sotme në Patos, e cila përfundoi me dhunë dhe plagosje me mjet prerës.

Policia njofton se është arrestuar Marjus Grëmbi, 36 vjeç, i cili dyshohet se plagosi 41-vjeçarin Shpëtim Qerimaj me një thikë.

Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që filloi me zënkat e fëmijëve të tyre, ndërsa raportohet se Qerimaj kishte sulmuar më parë babanë e 36-vjeçarit me grushte dhe sende të forta.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasin M. G., 36 vjeç, banues në Verbas, Patos, për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për fqinjin e tij, shtetasin Sh. Q., 41 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, 36-vjeçari ka dëmtuar me mjet prerës, shtetasin Sh. Q., ndërsa ky i fundit ka goditur me grushte dhe me sende të forta, babanë e 36-vjeçarit, shtetasin A. G.. 41-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve”- njofton policia.