Hamza kërkon heqjen e masave të BE ndaj Kosovës nëpërmjet një letre drejt Von der Leyen
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për mes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se i ka dërguar një letër presidentes të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë letër, Hamza ka kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës.
Sipas tij Kosova ka treguar gjatë këtij viti pjekuri të lartë demokratike. Hamza thekson se masat e BE-së po dëmtojnë Kosovën ndërsa shton se janë të pajustifikushme.
“Si Kryetar i PDK-së dhe kryeministër i ardhshëm, i jam drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe institucioneve të BE-së, duke kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës.
Kosova ka kaluar një vit me zgjedhje të njëpasnjëshme, por ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë demokratike. Qytetarët tanë, ndër më proevropianët në rajon, nuk duhet të ndëshkohen për shkak të një qeverie të papërgjegjshme.
Masat aktuale të BE-së janë të pajustifikueshme dhe po e dëmtojnë vendin në një periudhë kur kemi nevojë për zhvillim ekonomik, integrim evropian dhe stabilitet politik. Është koha për një kapitull të ri në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, shkruan Hamza.
