Mbytet varka me emigrantë në Kretë, të paktën 18 të vdekur

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në jug të ishullit të Kretës, ku një varkë me emigrantë është fundosur duke shkaktuar një tragjedi me dhjetëra viktima.

Sipas mediave greke, të paktën 18 trupa janë nxjerrë nga deti në zonën 26 milje në jugperëndim të ishullit Chryssi, ndërsa vetëm dy persona janë shpëtuar deri më tani.

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon me intensitet, ku janë angazhuar dy anije të Rojës Bregdetare greke, një anije e Frontex, tre anije civile që ndodheshin pranë vendngjarjes, si dhe një helikopter “Super Puma” e një avion patrullues të Frontex.

Mjeti lundrues u pikas fillimisht nga një anije me flamur turk, e cila njoftoi autoritetet greke për gjendjen e tij gjysmë të fundosur.

Sipas të dhënave paraprake, në zonë fryjnë erëra perëndimore me forcë 4 ballë, gjë që ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.