Putin flet nga India: Bisedimet me SHBA-në për Ukrainën të ndërlikuara
Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi sot se negociatat e vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara për Ukrainën janë të ndërlikuara dhe për to duhet angazhim.
Në një intervistë të transmetuar nga një kanal televiziv indian, Putin tha se ”është një detyrë komplekse dhe një mision i vështirë që presidenti Donald Trump i ka vënë vetes”.
“Arritja e një konsensusi mes palëve në konflikt nuk është e lehtë, por unë besoj se presidenti Trump po punon sinqerisht drejt kësaj”, vazhdoi ai, përpara se të shtonte se “mendoj se duhet të angazhohemi në këtë përpjekje në vend që ta pengojmë atë”.
Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti sot në Indi për një vizitë dyditore shtetërore, gjatë së cilës do të zhvillojë bisedime me kryeministrin indian Narendra Modi.
Kjo është vizita e tij e parë në vendin më të populluar në botë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Sipas raportimeve të medieve që citojnë qeverinë indiane, pas një darke private me Modin menjëherë pas mbërritjes, të dy liderët do të takohen sërish nesër për samitin e 23-të Indi-Rusi.
Bisedimet pritet të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë tregtinë dhe energjinë.
India është një nga blerëset më të mëdha të naftës ruse.

