EMRI/ Frikë nga gjakmarrja për borxhin e babait - Shqiptari i arratisur nga Britania kërkon të mos ekstradohet
Një shqiptar i arratisur, i akuzuar si “trafikant armësh”, kërkon të mos ekstradohet nga Britania e Madhe, duke pretenduar se rrezikon të vritet për shkak të një “gjakmarrjeje” lidhur me një borxh prej 25,000 paundësh.
Alban Gjidiaj, 29 vjeç, sipas Daily Mail, është i kërkuar nga prokurorët shqiptarë për një skemë të supozuar për të trafikuar tetë armë dhe fishekë nga Shqipëria për t’i shitur bandave në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai u arrestua në janar nga Policia Metropolitane, por u la i lirë me garanci 5,000 paundësh.
Dje, ai u paraqit në Gjykatën e Westminster-it për të kundërshtuar ekstradimin në Shqipëri, ku mund të përballet me 17 vite burg nëse shpallet fajtor.
Vëllai i tij, Almir Gjidiaj, 34 vjeç, është gjithashtu i akuzuar për përfshirje në këtë skemë dhe ndodhet në paraburgim në Kolumbi. Sipas prokurorisë, Gjidiaj dhe vëllai i tij ishin destinatarët e një tavoline druri që përmbante armë të fshehura dhe municione, të cilat ishin gjetur gjatë një kontrolli në portin e Durrësit në prill 2023.
Avokati i Gjidiajt argumentoi se rreziku kryesor për klientin e tij lidhet me një borxh të marrë nga babai i tij për trajtim të kancerit, i cili sipas rregullave të gjakmarrjes do të binte mbi të madhin vëlla, e më pas mbi Albanin. Ai tha se Gjidiaj kishte frikë për jetën e tij, pasi ishte ndjekur disa herë gjatë viteve të universitetit dhe kishte ikur ilegalisht në Britani në vitin 2018.
Gjidiaj mohoi importimin e armëve dhe bëri të ditur se nuk kishte bërë telefonatat kërcënuese që i atribuohen. Ai ka aplikuar për azil në Britani në tetor 2023, por aplikimi u refuzua dhe më pas mori vizë familjare për shkak të bashkëshortes dhe djalit të tij 15-vjeçar.
Gjykata po shqyrton kërkesën e tij për të mos u ekstraduar në Shqipëri, duke marrë në konsideratë rrezikun që Gjidiaj pretendon se i kanoset nga një gjakmarrje e lidhur me borxhin e familjes.

