Kategoria Superiore/ Flamurtari bën surprizën, mund Egnatian në Rrogozhinë. Vllaznia zhgënjen ndaj Vorës
Flamurtari ka marrë një fitore të çmuar në Rrogozhinë përballë vendasve të Egnatias.
Vlonjatët fitojnë 1-0 në “Egnatia Arena”, falë një goli të shënuar nga Ramirez në pjesën e parë.
Vendasit nisin më mirë lojën dhe i afrohen golit të avantazhit me Bakajokon dhe Jahajën, por pa arritur që të mposhtin portierin Aleksovski.
Vlonjatët mbrohen mirë dhe me një kundërsulm të shpejt ndëshkojnë rrogozhinasit me Ramirez, që shënon golin e avantazhit.
Egnatia mundohet të reagojë në pjesën e dytë, por nuk arrin që të ndryshojë fatin e kësaj sfide. Mbyllet 1-0 për Flamurarin sfida në “Egnatia Arena”.
Vlonjatët ngjiten në kuotën e 13 pikëve dhe pas këtij suksesi rrisin ndjeshëm shanset për mbijetesë, ndërsa Egnatia zhgënjen në shtëpi dhe mbetet në kuotën e 25 pikëve.
Flamurtari merr fitoren e parë sezonale në transfertë, ndërsa Egnatia pëson humbjen e parë në shtëpi.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Vorës në Shkodër, duke humbur kështu mundësinë për të arritur kreun.
Ekipi i Edi Martinit është në vendin e dytë me 25 pikë, ndërsa Vora është në vendin e 7-të me 16 pikë.
