NEYMAR E VINICIUS JO NË BOTËROR? Ancelotti i prerë: Me 90%, askush nuk vjen, niveli i skuadrës është shumë i lartë
Carlo Ancelotti ka lëshuar paralajmërimin më të fortë deri tani: Neymar dhe Vinicius Junior nuk do të jenë në Katar–SHBA–Meksikë 2026 nëse nuk arrijnë formë të plotë fizike. Tekniku italian thekson se reputacioni nuk mjafton dhe se konkurrenca në sulmin e Brazilit është tepër e lartë. Ndërkohë, Neymar po përballet sërish me probleme fizike që rrezikojnë Botërorin e katërt radhazi.
Carlo Ancelotti ka dhënë sinjalin më të qartë se asnjë yll i Brazilit nuk ka vend të sigurt në Kupën e Botës 2026, përfshirë Neymar dhe Vinicius Junior.
“Duhet të jenë 100% gati, përndryshe zgjedh lojtarë të tjerë,” u shpreh trajneri për Esporte Record, duke nënvizuar se konkurrenca në repartin ofensiv është më e forta e ekipit.
Deklaratat vijnë në një moment delikat për Neymar, i cili pas prishjes së ligamenteve të gjurit dhe rikthimit te Santos, vazhdon të luftojë me dëmtime të njëpasnjëshme.
Që prej rikthimit në janar 2025, ai ka shënuar vetëm 7 gola në 25 ndeshje, ndërsa forma e tij është penguar nga rikuperime të vazhdueshme. Në ndeshjen e fundit me Internacional, braziliani ndjeu dhimbje akute në gju, ndërsa trajneri i Santos, konfirmoi se ai është sërish jashtë fushave.
Përkundër dhimbjeve, Neymar shënoi 3 gola në fitoren 3–0, që e nxori përkohësisht Santos-in nga zona e rënies, por dilemat mbi të ardhmen e tij mbeten të mëdha.
Ancelotti, i njohur për qëndrimin e tij strikt, theksoi se nuk do të marrë lojtarë të paplotë: “Nuk është vetëm Neymar. Edhe Vinicius, nëse është 90%, nuk vjen. Zgjedh lojtarët që janë 100%, sepse niveli i skuadrës është shumë i lartë,” tha ai.
Sa i përket Neymar, tekniku italian e pranoi talentin e tij të jashtëzakonshëm, por vuri në dukje realitetin e ashpër: “Ka pasur shumë dëmtime dhe nuk ka qenë dot në gjendjen e tij më të mirë fizike.”
Shanset e tij për të qenë në Botërorin e katërt janë gjithnjë e më të pakta. Kalendari brazilian e kufizon në ndeshje të pakta, ndërsa opsioni i një huazimi të përkohshëm në Europë në fillim të vitit 2026 është ndër skenarët e diskutuar për t’i siguruar minuta dhe ritëm lojë.
Për momentin, gjithçka varet nga një garë kundër kohës, dhe Ancelotti ka bërë të qartë se kompromis nuk do të ketë.

