Trent Alexander-Arnold jashtë fushave për dy muaj, Real Madridi konfirmon dëmtimin muskulor
Real Madridi ka publikuar raportin zyrtar mjekësor për Trent Alexander-Arnold, pasi mbrojtësi anglez u detyrua të largohej i dëmtuar gjatë ndeshjes së mbrëmshme në “San Mamés”.
Sipas njoftimit, Alexander-Arnold ka pësuar një dëmtim muskulor në ‘rectus femoris’ të kuadricepsit të këmbës së majtë, ndërsa klubi thekson se futbollisti është “në pritje të ecurisë së rikuperimit”.
Burime pranë klubit, të konfirmuara edhe nga MARCA, bëjnë me dije se mbrojtësi do të mungojë të paktën dy muaj, duke e mbajtur atë jashtë fushe për rreth dhjetë ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Kjo do të thotë se Alexander-Arnold nuk do të jetë i disponueshëm për sfidat e rëndësishme të Ligës së Kampionëve kundër Manchester City-t, Monaco-s dhe Benfica-s.
Po ashtu ai humbet gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj Atlético Madridit, me mundësinë për të mos qenë as i gatshëm për një finale të mundshme.
Në La Liga, ai nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve ndaj Sevilla-s, Betis-it apo Alavés-it.
Kjo është një tjetër ndalesë në rrugën e anglezit me Xabi Alonson te Real Madridi, pasi vetëm pak javë më parë ai ishte rikthyer në formacion pas një dëmtimi të pësuar në shtator.
Eduardo Camavinga ishte lojtari i dytë i Real Madridit që u largua i dëmtuar nga ndeshja me Athletic.
Megjithatë, gjendja e tij duket më pak shqetësuese sesa ajo e Alexander-Arnold.
Mesfushori francez vuan një dëmtim të lehtë në kyçin e majtë të këmbës dhe do t’u nënshtrohet testeve mjekësore deri të shtunën.
Klubi nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës së La Ligës ndaj Celta Vigos, që zhvillohet të dielën në “Santiago Bernabéu”.
