Trump: Hapat e ardhshëm për bisedimet mbi Ukrainën të paqarta pas takimit në Moskë

E ardhmja e bisedimeve të paqes për Ukrainën mbetet e paqartë, tha Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën, pas asaj që ai e quajti bisedime “mjaft të mira” midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë.

Kremlini tha të mërkurën se Putin pranoi disa propozime amerikane që synojnë t’i japin fund konfliktit në Ukrainë dhe se ishte i gatshëm të vazhdojë punën për të gjetur një kompromis.

Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump tha se Witkoff dhe Kushner e informuan atë përmes telefonit dhe i thanë se përshtypja e tyre nga Putin ishte se “ai do të donte të arrinte një marrëveshje”. Megjithatë, ajo që ndodh tani është e paqartë, tha Trump.

“Çfarë del nga ai takim nuk mund t’ju them, sepse duhen dy palë për të vallëzuar.Me Ukrainën kemi diçka mjaft mirë të përgatitur”, u shpreh Trump.

Ndihmësi i presidencës ruse, Yuri Ushakov, tha të mërkurën se Putin dhe Witkoff diskutuan edhe për anëtarësimin e Ukrainës në NATO gjatë bisedimeve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur nëse ishte e saktë të thuhej se Putin kishte refuzuar propozimet amerikane, dha një përgjigje mohuese.

“Një shkëmbim i drejtpërdrejtë pikëpamjesh u zhvillua dje për herë të parë. Disa gjëra u pranuan, disa u cilësuan si të papranueshme. Ky është proces normal pune për të gjetur një kompromis”, tha Peskov.

Për më tepr, ai tha se Rusia ishte mirënjohëse ndaj Trumpit për përpjekjet e tij.

“Puna aktualisht po kryhet në nivel ekspertësh. Është në nivelin e ekspertëve që duhet të arrihen disa rezultate, të cilat më pas do të krijojnë bazën për kontakte në nivelin më të lartë”, u shpreh Peskov.