Sondazhi në 9 shtete të BE-së/ Gjysma e evropianëve e konsiderojnë presidentin e SHBA-ve si “armik të Evropës”

Pothuaj gjysma e europianëve e konsiderojnë Donald Trump një “armik të Europës”, ndërsa shumica vlerësojnë si të lartë rrezikun e një lufte me Rusinë dhe besojnë se vendet e tyre nuk do të ishin në gjendje të mbroheshin. Sondazhi i realizuar në 9 shtete të BE-së pasqyron një kontinent të shqetësuar, të vetëdijshëm për dobësitë e veta dhe të orientuar drejt rolit mbrojtës të BE-së.

Një sondazh i ri europian tregon se 48% e qytetarëve në 9 vende të BE-së e shohin Donald Trump si “armik të Europës”, me nivelet më të larta të perceptimit negativ në Belgjikë (62%) dhe Francë (57%), ndërsa më të ulëta në Kroaci (37%) dhe Poloni (19%). Sipas profesor Jean-Yves Dormagen, “Trumpizmi perceptohet qartësisht si forcë armiqësore në kontinent”.

Megjithatë, pavarësisht skepticizmit ndaj ish-presidentit amerikan, europianët e konsiderojnë marrëdhënien me SHBA-në strategjikisht të rëndësishme. Gati gjysma e të anketuarve (48%) mendojnë se BE-ja duhet të ndjekë qasjen e kompromisit ndaj Uashingtonit.

Alarmante duken perceptimet për sigurinë. 51% e europianëve e konsiderojnë të lartë rrezikun e një lufte të hapur me Rusinë, ndërsa 18% e shohin atë si shumë të lartë. Në Poloni, që kufizohet me Rusinë, ndjesia e kërcënimit arrin në 77%, ndërsa në Itali vetëm 34%. Për Dormagen, ky ndryshim përbën “një regjim të ri gjeopolitik” ku mundësia e konfliktit në kontinent pranohet gjerësisht.

Besimi në mbrojtjen kombëtare është i dobët. 69% e europianëve nuk besojnë se vendi i tyre mund të mbrohet në rast sulmi rus. Edhe në Poloni, pavarësisht afërsisë me konfliktin, 58% mendojnë se mbrojtja nuk është e mjaftueshme. Franca paraqet nivelin më të lartë të besimit, por prapë minoritar, vetëm 44%.

Në përgjithësi, ndjesia e cenueshmërisë dominoi sondazhin: vetëm 12% e qytetarëve ndihen “pa kërcënime të veçanta”. Siguria dixhitale u rendit si shqetësimi kryesor (28%), pasuar nga ai ushtarak (25%). Kjo klimë pasigurie ka rritur kërkesën për një rol më mbrojtës të BE-së, që mbështetet nga 69% e të anketuarve.

Ndërkohë, mbështetja për vetë BE-në mbetet e fortë: 74% e europianëve duan të qëndrojnë në union, me nivele rekord në Portugali (90%) dhe Spanjë (89%). Në fund, vendimi i Britanisë për t'u larguar nga BE perceptohet gjerësisht si i dështuar: 63% e vlerësojnë Brexit-in negativ, ndërsa vetëm 19% pozitiv.