I dënuar për vr*sjen e 13 anëtarëve të një familje, ekzekutohet autori në Afganistan

Autoritetet talebane në Afganistan kryen të martën një ekzekutim publik ndaj një burri të dënuar për vrasjen e 13 anëtarëve të një familjeje, përfshirë nëntë fëmijë dhe nënën e tyre, një krim që kishte ndodhur në fillim të këtij viti. Ekzekutimi u zhvillua në një stadium sportiv në qytetin lindor të Khostit, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Sipas Gjykatës së Lartë të talebanëve, ky është ekzekutimi i njëmbëdhjetë publik që nga marrja e pushtetit në vitin 2021, pas tërheqjes së trupave amerikane dhe atyre të NATO-s. Vendimi për dënimin me vdekje ishte konfirmuar nga një gjykatë e shkallës së parë, gjykata e apelit dhe Gjykata e Lartë, përpara se të merrte miratimin përfundimtar nga udhëheqësi suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada.

Policia e Khostit njoftoi se ekzekutimi u krye me armë zjarri nga një i afërm i viktimave, sipas praktikës së lejuar nga autoritetet talebane në raste të tilla. I dënuari ishte shpallur fajtor së bashku me disa bashkëpunëtorë për hyrje me forcë në një shtëpi familjare dhe vrasjen e një familjeje të zgjeruar.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë kritikuar vazhdimisht dënimet publike të talebanëve, duke i cilësuar ato si shkelje të rënda të standardeve ndërkombëtare, por autoritetet talebane kanë deklaruar se do të vazhdojnë zbatimin e “ligjit islam” sipas interpretimit të tyre.