Administrata Trump shkarkon 8 gjyqtarë të imigracionit në Nju Jork
Administrata e Presidentit Donald Trump shkarkoi të hënën tetë gjyqtarë të imigracionit në New York City, sipas New York Times.
Shkarkimet vijnë pas një vale reduktimesh të mëparshme të stafit në gjykatat e imigracionit në qytet dhe konsiderohen pjesë e një ristrukturimi më të gjerë në nivel kombëtar, teksa Shtëpia e Bardhë synon të përshpejtojë procedurat e deportimit.
Të gjithë gjyqtarët e shkarkuar punonin në 26 Federal Plaza, ndërtesa që strehon zyrën qendrore të agjencisë amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në New York. Ndër ta ishte edhe Amiena A. Khan, ndihmëse kryesore e gjykatës së imigracionit, e cila mbikëqyrte një ekip gjyqtarësh brenda institucionit.
Sipas të dhënave federale, rreth 90 gjyqtarë të imigracionit janë shkarkuar në mbarë vendin që nga fillimi i vitit, përfshirë gjashtë të tjerë në New York City, nga një total prej rreth 600 gjyqtarësh në sistemin e gjykatave të imigracionit.
“Gjykata është shkatërruar praktikisht”, tha Olivia Cassin, një gjyqtare imigracioni e pushuar nga puna në nëntor pas më shumë se një dekade shërbimi. “Ndihet si një masakër e së hënës pasdite”, u shpreh ajo për New York Times.
Shkarkimet e reja ndodhën vetëm dy ditë pasi rreth 200 protestues u mblodhën në Lower Manhattan për të kundërshtuar një bastisje të mundshme të ICE-së, duke shtuar tensionet mes aktivistëve lokalë dhe autoriteteve federale.
Administrata Trump ka deklaruar synimin për të intensifikuar operacionet e deportimit në New York dhe ka kritikuar ashpër politikat e strehimit të qytetit, të cilat kufizojnë bashkëpunimin e policisë lokale me zyrtarët federalë të imigracionit.
