GARA NIS ME KOALICIONE/ Mbyllet afati, vetëm Vetëvendosje garon e bashkuar këtë herë

Është mbyllur afati për aplikim të subjekteve politike që synojnë garën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë. Nga partitë e mëdha, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur të hyjë në koalicion, duke krijuar një subjekt të ri zgjedhor.

Në Kosovë është mbyllur zyrtarisht afati për aplikim dhe certifikim të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. KQZ konfirmon se 23 subjekte janë regjistruar gjatë javës nga data 24-30 nëntor.

Ajo që bie në sy nga partitë e mëdha parlamentare, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të hyjë në garë me koalicion.

Kjo është hera e parë që VV formalizon një subjekt të ri zgjedhor, të quajtur ‘Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje’. Këtij formati i bashkohen GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.

Partitë e tjera të mëdha PDK, LDK dhe AAK, i hyjnë garës të vetme. Edhe Nisma Socialdemokrate do të garojë pa aleanca, pas dështimit për të kapur pragun në zgjedhjet e fundit.

Përveç Vetëvendosjes, janë regjistruar edhe dy koalicione të tjera: ‘PAI – PDAK – LPB’, që përfaqësojnë komunitetin ashkali, si dhe ‘Koalicija VAKAT’, që bashkon tre parti të komunitetit boshnjak.

Në listën e aplikuesve janë gjithsej 17 parti politike, ndër to LDK, PDK, AAK, Srpska Lista, Partia Turke, NDS, FJALA, Kosova Savez dhe partitë e komuniteteve rome, turke dhe egjiptiane. Dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur, Nexhmidin Sejdilar, e plotësojnë listën finale prej 23 subjektësh.

Por menjëherë pas mbylljes së afatit nisën edhe akuzat politike, kryesisht të drejtuara ndaj Vetëvendosjes. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi VV-në për përpjekje për manipulim të votës së emigranteve.

Subjektet politike kanë kohë deri më 7 dhjetor të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë. Fushata pritet të jetë e shkurtër, por e nxehtë,  me koalicionin e vetëm të kësaj gare që vjen nga Vetëvendosje.