Atentati në Elbasan, arrestohet ish-ortaku/ Shoqërohet roja i karburantit, dyshohet për pengim të hetimeve. Automjeti i autorëve rezulton në pronësi të viktimës

Zbardhja e vrasjes së biznesmenit elbasanas Mondi Mëhalla ka hyrë në fazë kritike, me ish-ortakun e tij të arrestuar si bashkëpunëtor dhe një tjetër person në kërkim. Hetuesit dyshojnë se konflikti mes tyre ka qenë motivi kryesor i krimit.

Hetimet për ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla, të ndodhur mbrëmjen e 30 nëntorit pranë pikës së karburantit të tij në Elbasan, kanë hyrë në një fazë vendimtare.

Burime nga policia konfirmojnë se Renaldo Gjoni, personi i ndaluar mbrëmjen e së hënës, është ish-ortaku në biznes i viktimës, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentat. Po ashtu, është shoqëruar edhe roja i karburantit, i cili dyshohet për pengim të hetimeve.

Sipas të njëjtave burime, hetuesit kanë krijuar dyshime të forta se Gjoni ka pasur një konflikt të hapur me Mëhallën kohët e fundit, ndërsa ka dhënë deklarim të rremë për vendndodhjen e tij në momentin e krimit. Ndërkohë, është shpallur në kërkim një person i tretë, që dyshohet të jetë ekzekutori kryesor.

Skema e vrasjes ndjek modelin tipik të atentateve të viteve të fundit. Autorët kanë përdorur një mjet që më pas e kanë djegur në fshatin Mirakë, mes Elbasanit dhe Librazhdit, vetëm disa orë pas krimit.

Automjeti rezulton të jetë në pronësi të vetë viktimës, i cili kishte edhe një biznes të makinave me qira. Brenda mjetit të djegur u gjet një pistoletë, e dyshuar si arma e krimit.

Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), 43 vjeç, u ekzekutua me tre plumba pistolete — dy në kokë dhe një në gjoks — duke ndërruar jetë menjëherë në makinën e tij luksoze. Ai ishte pronar i karburantit “Xhaxhi Oil”, një biznesi taksish elektrike dhe një lokali.

Sipas grupit hetimor, pista kryesore mbetet konflikti i fundit i viktimës me ish-ortakun e tij. Hetimet intensive pritet të çojnë në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar kryesor.