VATA KËRKOHET NË PREMIER LEAGUE/ Fulham dhe Crystal Palace shfaqin interes për sulmuesin e Watford
Paraqitjet pozitive të Roko Vatës kanë bërë që ai të kërkohet në Premier Ligë. Djali i legjendës së Kombëtares shqiptare Rudi Vata po vëzhgohet nga Fulhemi dhe Kristal Palasë, duke e cilësuar talentin 20-vjeçar si investim të rëndësishëm për të ardhmen.
Roko Vata, një nga talentet më premtuese të futbollit anglez në moshat e reja, po kalon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij.
Pavarësisht një dëmtimi që e ka larguar përkohësisht nga fusha, interesimi për të nuk ka munguar. Mediat britanike raportojnë se Fulham dhe Crystal Palace kanë nisur kontaktet për ta transferuar 20-vjeçarin e Watfordit.
Vata këtë sezon ka zhvilluar 10 ndeshje në Championship, duke shënuar 2 gola dhe dhuruar 2 asistime, para se të lëndohej. Paraqitjet e tij kanë bindur dy klubet e Premier League, të cilat kërkojnë të përforcohen me sulmues të rinj dhe teknikë.
Sipas “Daily Mail”, Watford është i gatshëm të negociojë vetëm nëse paguhet klauzola prej 20 milionë funtesh, një shifër e konsiderueshme për një lojtar kaq të ri.
Fulham-i dhe Crystal Palace njihen për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe besimin tek lojtarët që konsiderohen elementë për të ardhmen. Për këtë arsye, Vata shihet si një investim afatgjatë dhe të 2 klubet kanë konfirmuar interesim të drejtpërdrejtë për të.
Nëse realizohet, transferimi mund të jetë një nga lëvizjet më interesante të janarit për futbollistët shqiptarë në ligat e mëdha. Për momentin, Vata po vazhdon fazën e rikuperimit, ndërsa dy klubet londineze po përgatiten për të përmbushur kushtet financiare të Watfordit.
Roko Vata është aktivizuar në 10 sfida të Championship-it anglez këtë edicion, duke gjetur 2 herë rrugën e rrjetës dhe dhuruar 2 asiste.

