Polonia ka arrestuar dy ukrainas dhe tre bjellorusë pasi dyshohen për spiunazh
Prokurorët polakë thanë se kanë arrestuar dy ukrainas dhe tre bjellorusë me akuzën e veprimit sipas urdhrave të shërbimeve të inteligjencës së huaja, ndërsa Varshava paralajmëroi për përpjekjet ruse për të destabilizuar vendet që mbështesin Kievin. Polonia thotë se është shënjestruar nga zjarrvënie dhe sulme kibernetike si pjesë e asaj që e quan një luftë hibride të zhvilluar nga Rusia për të minuar mbështetjen për Ukrainën. Por, Moska i ka mohuar akuzat.
Të dyshuarit, të cilët raportohet të jenë shtetas ukrainas, dhe bjellorusët u arrestuan sipas zyrës së prokurorit, nga policia dhe shërbimet sekrete më 25 dhe 26 nëntor. Ata po fotografonin infrastrukturën e sigurisë kombëtare.
Aktivitetet e tyre, shtojnë prokurorët, përfshinin fotografimin dhe transmetimin e fotove të infrastrukturës kritike dhe vendeve të rëndësishme nga perspektiva e sigurisë kombëtare, në vitin 2024 dhe muajt e parë të vitit 2025.
"Për këto qëllime, të dyshuarit u paguan me kriptovaluta", thuhet në deklaratën e prokurorëve. Spiunazhi në Poloni mbart dënime me burgim nga 5 deri në 30 vjet. Mediat e huaja shkruajnë se tre nga të dyshuarit u mbajtën në paraburgim për tre muaj, ndërsa i mituri u dërgua në një qendër paraburgimi për të mitur.
“Hetimi ka të bëjë me përfshirjen e individëve në aktivitete me shërbime të huaja inteligjence kundër Republikës së Polonisë midis marsit 2024 dhe shkurtit 2025 në Rzeszoë, Varshavë, Lotz dhe vende të tjera. Aktivitetet përfshinin marrjen dhe ndarjen e fotografive të infrastrukturës kritike, si dhe vendosjen e posterave dhe krijimin e grafiteve”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.
