Ukraina dhe Kanadaja bashkojnë forcat për të rritur presionin ndaj Rusisë

Ukraina dhe Kanadaja po diskutojnë masa të reja të koordinuara për të rritur presionin ndaj Rusisë, përfshirë sanksione shtesë dhe hapa të rinj diplomatikë në Kombet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se ka zhvilluar një bisedë me homologen kanadeze, Anita Anand, gjatë së cilës e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë dhe pjesëmarrjen e kryeministrit Mark Carney në takimin e fundit të “koalicionit të të vullnetshmëve”.

Sipas Sybiha, diskutimet u fokusuan në përpjekjet e vazhdueshme për paqe, bashkërendimin me Shtetet e Bashkuara dhe hapat e ardhshëm për të forcuar presionin ndërkombëtar ndaj Moskës. Ai theksoi se palët ranë dakord të punojnë për sanksione të reja, rezoluta shtesë në OKB dhe masa që synojnë përdorimin e aseteve të ngrira ruse për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës.

“Do të përdorim çdo mundësi për të afruar paqen”, deklaroi Sybiha, duke shprehur mirënjohjen ndaj Kanadasë dhe partnerëve të tjerë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe solidaritetin personal të ministres Anand me Ukrainën.