Krimi mjedisor, i pandëshkuar/ Kapitulli i mjedisit, sfidë për integrimin. Studimi zbulon problematikat
Integrimi europian e rendit Kapitullin e Mjedisit si një nga sfidat kryesore të Shqipërisë, por një raporti disa organizatave tregon se shkeljet ndaj natyrës, ajrit, ujit dhe pyjeve vazhdojnë të mbeten kryesisht të pandëshkuara.
Të dhënat nga prokuroritë tregojnë se shumica e çështjeve mbyllen pa u çuar në gjykim.
Shkeljet e ligjit që mbron mjedisin natyror, tokën, ujin, pyjet dhe ajrin mbeten një realitet flagrant që vazhdon të mos ndëshkohet.
Ky është konkluzioni i një serie prej pesë studimesh të prezantuara nga një koalicion organizatash të shoqërisë civile, të udhëhequra nga Qendra Burimore e Mjedisit të cilat kanë skanuar çdo hallkë të sistemit, nga inspektorët e terrenit deri te gjyqtarët e Apelit.
Ndërsa Kapitulli i Mjedisit është një nga më të vështirët dhe teknikët në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, raporti vë theksin te problematikat që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Përfaqësuesi i Forumit të Mendimit të Lirë, Mentor Kikia, u shpreh se për sa kohë krimet mjedisore trajtohen si gabime administrative e jo si shkelje penale, natyra nuk mund të ketë mbrojtje reale.
Të dhënat e prokurorive të Tiranës, Elbasanit dhe Korçës për vitet 2020–2024 zbulojnë një nivel të lartë pandëshkueshmërie: për krime serioze si ndotja e ajrit në kryeqytet, çështjet e dërguara për gjykim janë pothuajse inekzistente, ndërsa shumica dërrmuese pushohen për mungesë provash.
