Xi Jinping kërkon kthimi i Tajvanit/ Presidenti kinez telefonatë me Trumpin: Është pjesë kyçe e rendit ndërkombëtar

Presidenti kinez Xi Jinping i tha Donald Trump se “kthimi” i Tajvanit është pjesë kyçe e rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore, duke kërkuar ruajtjen e “rezultateve të luftës”. Dy liderët diskutuan në telefon tensionet në Azi, marrëdhëniet tregtare dhe luftën në Ukrainë, ndërsa Xi kërkoi më shumë bashkëpunim mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Presidenti kinez Xi Jinping i ka thënë Donald Trump, në një bisedë telefonike, se “kthimi i Tajvanit në Kinë” mbetet element kyç i rendit ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas agjencisë Xinhua, Xi theksoi se Pekini dhe Uashingtoni duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur “rezultatet e fitores ndaj fashizmit”.

Nga Shtëpia e Bardhë konfirmuan telefonatën, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk përjashton përdorimin e forcës, ndërsa qeveria tajvaneze e refuzon këtë pretendim, duke insistuar se vetëm populli i saj vendos për të ardhmen.

Biseda vjen në kohën e tensioneve të rritura me Japoninë, pas deklaratave të kryeministres Takaichi se një sulm hipotetik kinez ndaj Tajvanit mund të sillte reagim ushtarak nga Tokio.

Xi dhe Trump u takuan në Korenë e Jugut më 30 tetor, pas muajsh tensioni tregtar. Pas këtij takimi, Kina ka rifilluar blerjet e sojës amerikane dhe ka pezulluar kufizimet e zgjeruara për eksportet e mineraleve të rralla, ndërsa SHBA uli me 10% tarifat ndaj Pekinit.

Xi deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë stabilizuar dhe përmirësuar, duke theksuar se “bashkëpunimi i sjell përfitime të të dyja palëve, ndërsa përplasja i dëmton të dyja”.

Në bisedë u trajtua edhe lufta në Ukrainë, me presidentin kinez që përsëriti se Pekini mbështet çdo përpjekje që i shërben paqes dhe u bëri thirrje palëve të ulin tensionet.