Senatori Mark Kelly u kërkoi ushtarëve të refuzojnë urdhra të paligjshëm! Zyrtarët: Mund të dëmtojë disiplinën dhe moralin ushtarak

Deklaratat e senatorit amerikan Mark Kelly ku u bën thirrje ushtarëve të mos zbatojnë urdhra që i konsiderojnë të paligjshëm ka ngritur shqetësime për ndikimin që mund të sjellë në disiplinën ushtarake. Për këtë Pentagoni ka njoftuar se po shqyrton akuzat për sjellje të pahijshme ndaj tij.

Pentagoni ka njoftuar se po shqyrton akuzat për sjellje të pahijshme ndaj senatorit amerikan Mark Kelly, pas publikimit të një videoje ku ai dhe pesë ligjvënës të tjerë demokratë u bëjnë thirrje ushtarëve amerikanë që të mos zbatojnë urdhra që i cilësojnë të paligjshëm.

“Ligjet tona janë të qarta, ju mund të refuzoni urdhra të paligjshëm. Kjo administratë po i vë përballë profesionistët tanë kundër qytetarëve amerikanë”.

Kjo deklaratë u cilësua e papranueshme.

Kelly, i cili vetë ka qenë dikur pilot luftarak edhe pse ka dalë në pension nuk është imun ndaj rregullave ushtarake.

Nëse ushtria mendon se ai ka shkelur ligjin, mund ta detyrojë të kthehet përkohësisht në ushtri, vetëm që t’i bëjnë gjyq ushtarak për atë që ai ka bërë ose ka thënë.

Në një deklaratë, Departamenti i Mbrojtjes tha se mesazhi i Kelly-t, i dhënë duke e theksuar gradën e tij të mëparshme në ushtri, mund të krijojë përshypjen se ai po flet me autoritet ushtarak.

Sipas Pentagonit, kjo mund të dëmtojë rregullin, moralin dhe disiplinën ushtarake.

Kelly thotë se për hetimin u informua vetëm pasi Pentagoni e publikoi njoftimin në rrjete sociale.

“Nëse kjo ka për qëllim të më frikësojë mua dhe anëtarët e tjerë të Kongresit që të mos bëjmë punën tonë dhe ta mbajmë këtë administratë përgjegjëse, nuk do të funksionojë”, tha ai.

Situata ka ndezur një debat të ri politik mbi kufijtë e autoritetit presidencial, detyrimet e ushtarëve ndaj ligjit dhe rolin e figurave politike në çështjet ushtarake.