TRAGJEDI NË LARTËSI/ Dy alpinistë humbin jetën pasi bien nga mali Cook
Dy alpinistë kanë vdekur pasi ranë në majën më të lartë të Zelandës së Re, malit Cook. Ata ishin pjesë e një grupi katërsh, ndërsa dy shokët e tyre u shpëtuan me helikopter. Autoritetet po tentojnë rikuperimin e trupave në një terren ekstremisht të rrezikshëm.
Tragjedi në Zelandën e Re. Dy alpinistë humbën jetën pasi ranë teksa tentonin të ngjiteshin në majën Aoraki, e njohur si Mali Cook, pika më e lartë e vendit dhe një nga më të rrezikshmet në botë.
Ata ishin në një grup me katër persona që po përpiqeshin të arrinin majën 3.724 metra, kur ndodhi aksidenti. Dy të mbijetuarit arritën të kontaktonin shërbimet e emergjencës dhe u shpëtuan me helikopter në orët e para të mëngjesit.
Orë pas kërkimeve, ekipet e shpëtimit gjetën trupat e viktimave, ende të lidhur me parzmoret e ngjitjes. Por rikuperimi i tyre pritet të jetë i vështirë, për shkak të terrenit të përpjetë dhe motit të paparashikueshëm.
Mali Cook, që shtrihet përmbi Alpet Jugore, është i famshëm për çarje të thella akulli dhe kushte ekstreme, edhe për alpinistët më të përvojshëm. Dhjetëra persona kanë humbur jetën ndër vite në këtë mal, ku rrallë kalon një sezon pa viktima.
Identiteti i alpinistëve nuk është bërë publik, por një media lokale raporton se një prej tyre ishte një udhërrëfyes i njohur ndërkombëtarisht. Në mal, ende qëndron misteri i tre alpinistëve që u zhdukën vitin e kaluar trupat e të cilëve nuk u gjetën kurrë.
Në Aoraki, natyra vazhdon të sfidojë njeriun. Një mal i bukur, por fatal për ata që guxojnë t’i afrohen majës së tij.

