HAITIANËT RREZIKOJNË TË DËBOHEN/ SHBA drejt mbylljes së programit humanitar për ta

Pas shkurtit familjet nga Haiti në SHBA nuk do të mund të rinovojnë më statusin e qëndrimit të tyre në amerikë. Rezidentë prej më shumë se dhjetë vitesh, familjet kanë ngritur shqetësimin për të ardhmen e tyre.

Statusi i Përkohshëm i Mbrojtjes për mijëra haitianë në SHBA i quajtur TPS, pritet të mos rinovohet më pas shkurtit, duke vënë në pikëpyetje se çdo të ndodhë me këta qytetarë dhe ku do të qëndrojnë.

Midis tyre është edhe familja e një djali 16-vjeçar në Florida, i cili mund të humbasë sërish nënën dhe motrën biologjike me të cilat u ribashkuar pas më shumë se një dekadë.

Marven u adoptua në SHBA pas tërmetit të vitit 2010 në Haiti.

Nëna e tij biologjike, Guerline, dhe motra, Rochelle, u takuan me të tre vite më parë përmes programit humanitar, ndërsa dhuna e bandave në Port-au-Prince po përshkallëzohej.

Të dyja jetojnë në SHBA ligjërisht falë TPS-it, por me programin që pritet të mbyllet, ato mund të detyrohen të kthehen në vendin e tyre.

Për Marvenin, rreziku i largimit të nënës dhe motrës është një traumë e re: “Nuk e di çfarë do të bëj nëse humbas përsëri familjen time,” thotë ai.

Kjo situatë ka tronditur edhe Stacey, nënën adoptuese të Marvenit e cila thotë se e mbështet ligjin dhe rendin, por dërgimin e njerëzve drejt rrezikut ekstrem e quan të paimagjinueshëm.

OKB tregon se një e dhjeta e popullsisë së Haitit është e zhvendosur si pasojë e dhunës ekstreme.

Ndërkohë, administrata amerikane argumenton se kushtet në Haiti janë përmirësuar mjaftueshëm, pavarësisht paralajmërimeve të Departamentit të Shtetit që u kërkon qytetarëve amerikanë të shmangin udhëtimet atje.

Familje të tjera haitiane në SHBA, disa prej të cilave të vendosur për mbi 15 vjet, shprehin frikën se mbyllja e programit do t’i detyrojë të jetojnë ilegalisht ose të përballen me rrezik serioz nëse deportohen.