Pellegrino shkëlqen me dopietë, Parma fiton në 'Bentegodi' dhe fundos edhe më shumë Veronën
Parma ka marrë fitoren e dytë në kampionatin italian, pasi ka triumfuar 2-1 në ‘Bentegodi’ ndaj Veronës, me një tjetër paraqitje vendimtare të sulmuesit Pellegrino.
Pas më shumë se dy muajsh, ai rikthehet te goli dhe e bën në mënyrën më të mirë të mundshme: me dy realizime që i japin ekipit emilian tri pikë të çmuara.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 18-të, kur pas një traverse të Sorensen, Pellegrino reagoi më së miri dhe shënoi me kokë për 0-1.
Verona u përpoq të rikthehej në lojë dhe në pjesën e dytë arriti barazimin: Giovane realizoi në minutën e 20-të të pjesës së dytë, duke rikthyer shpresën për vendasit.
Por vetë Giovane do të bëhej protagonist negativ në minutat e fundit.
Dhjetë minuta para përfundimit, ai dha një top të gabuar me kokë drejt portierit Montipò, dhe Pellegrino, i vëmendshëm dhe i shpejtë, përfitoi duke shënuar golin e dytë personal dhe të fitores për Parmën.
Për Veronën, ky është një tjetër rezultat negativ që e mban në fund të tabelës, ndërsa Parma merr një fitore të rëndësishme që i jep frymëmarrje dhe besim për vazhdimin e sezonit.
