FOTO-ALBUMI/ Mbyllet instalacioni i përkohshëm mbi Mozaikun e Muzeut Kombëtar, pas përmbushjes së qëllimit të tij sensibilizues

Instalacioni i përkohshëm artistik i Blerta Kambo, vendosur pranë Mozaikut të Muzeut Kombëtar u mbyll sot, pasi përmbushi misionin e tij kryesor: të sjellë vëmendjen mbi betejën e grave me kancerin e gjirit.

Koncepti artistik qe paraqiste simbolikisht figurën e një gruaje pa flokë, me një shenjë në gjirin e djathtë, nuk ishte provokim por një pasqyrë e realitetit të mijëra grave, e një beteje të vërtetë që nuk duhet të fshihet, por të njihet, të respektohet dhe të kuptohet.

Instalacioni nuk ka prekur mozaikun origjinal; ai ishte vendosur në distancë të sigurt, duke krijuar një iluzion pamor si pjesë e një komunikimi vizual për publikun.

Në ditët e fundit, vepra është keqinterpretuar në mënyrë të pavërtetë nga individë me axhendë përçarëse e manipulimi dhe platforma mediatike që nuk janë informuar mbi qëllimin e saj, duke gjeneruar një cikël dizinformimi dhe gjuhe të panevojshme urrejtjeje.

FOTO-ALBUMI/ Mbyllet instalacioni i përkohshëm mbi Mozaikun e Muzeut

Ky fenomen është një shembull i qartë i sfidës bashkëkohore të dizinformimit, i cili dëmton artin, publikun dhe sidomos gratë që sot po luftojnë me kancerin e gjirit.

Arti i kësaj ndërhyrjeje synonte të jepte vend për dinjitet, forcë dhe ndërgjegjësim — jo për ndarje apo konflikte.
Sic ishte planifikuar, instalacioni u hoq pas përmbushjes së rolit të tij: të hapë një bisedë të domosdoshme për shëndetin e grave dhe nevojën që shoqëria të marrë qëndrim kundër stigmës, urrejtjes dhe dezinformimit.

Blerta Kambo theksoi se: “Kur një grua që po lufton me kancerin lexon komente urrejtjeje, cënon dinjitetin e saj në ditët më të vështira.

Ne i detyrohemi grave që kanë luftuar, grave që po luftojnë dhe grave që nuk janë më, një shoqëri që nuk i përdor për clickbait, por i respekton. Arti ka një rol të qartë në këtë: të hapë biseda, të sfidojë indiferencën dhe të ndërtojë ndërgjegjësim. Ky instalacion e kreu misionin e tij.

Disa e lexuan. Disa e kuptuan. Disa e keqinterpretuan, pa u informuar.

Kjo është plagë e shoqërisë sonë: dizinformimi që kthehet në urrejtje. Sot instalacioni largohet me dinjitet, por mesazhi i tij mbetet:

le të informohemi para se të gjykojmë; le të zgjedhim dinjitetin ndaj grave, ndaj familjeve dhe ndaj vetes sonë. Faleminderit të gjithëve që e kuptuan dhe e mbështetën këtë kauzë.”

FOTO-ALBUMI/ Mbyllet instalacioni i përkohshëm mbi Mozaikun e Muzeut

Artistja falënderon publikun, komunitetin e grave që kanë ndarë historitë e tyre dhe të gjithë ata që e mbështetën mesazhin e vërtetë të kësaj vepre.

Një shoqëri që mbështet gratë në ditët e tyre më të vështira është një shoqëri që ecën përpara.