Plani vë nën presion Kievin, Zelensky: Momentet më të vështira të historisë sonë
Ai paralajmëroi se Ukraina ndodhet përballë një zgjedhjeje të vështirë, mes ruajtjes së një aleati kyç si SHBA-të dhe dinjitetit të saj kombëtar, në një nga momentet më të rrezikshme të historisë moderne të vendit.
Sipas burimeve të afërta me negociatat, plani 28-pikësh i propozuar nga Uashingtoni përfshin disa nga kërkesat e Moskës dhe nuk jep garanci të qarta sigurie për Kievin.
Mediat e huaja raportojnë se SHBA-të kanë sinjalizuar se mund të ndërpresin ndihmën kritike ushtarake nëse Ukraina nuk pranon kornizën e paraqitur.
Zelensky theksoi se do të vazhdojë punën me SHBA-të mbi këtë plan, por paralajmëroi se në ditët në vijim do të rritet presioni politik ndaj Kievit. Ai u bëri thirrje qytetarëve “të qëndrojnë të bashkuar përballë përpjekjeve të reja të Rusisë për të minuar procesin e paqes”.
“Ky është një nga momentet më të vështira të historisë sonë. Presioni mbi Ukrainën është ndër më të rëndët. Ukraina mund të përballet me një zgjedhje jashtëzakonisht të dhimbshme: ose të humbasë dinjitetin, ose të rrezikojë humbjen e një partneri të madh”, tha Zelensky.
