TRUMP BOJKOTON G20-ën/ Presidenti amerikan nuk merr pjesë në samitin e fuqive më të mëdha ekonomike në botë! Autoritetet në Afrikë: Humbje!
Presidenti amerikan Donald Trump ka bojkotuar samitin e G20 që po mbahet në Afrikë. Mungesa e SHBA-së shihet si humbje për takimin ndërsa i krijon më shumë hapësirë Kinës në diskutimet mbi ekonominë globale, energjinë dhe tregjet.
Presidenti amerikan Donald Trump nuk do të marrë pjesë në samitin e këtij viti të G20-s në Afrikën e Jugut, duke i qëndruar deklaratave të mëparshme se është një turp total që takimi do të mbahet atje.
Trump ka ngritur më herët pretendime për persekutimin që sipas tij vendi u bën fermerëve të bardhë të cilët janë në minorancë.
Asnjë parti politike në vend përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetin afrikan nuk i ka mbështetur këto pretendime.
Autoritetet në Afrikën e Jugut e kanë quajtur humbje për takimin duke theksuar se pjesëmarrja amerikane zakonisht ndikon drejtpërdrejt në rezultatet e samitit.
Tradicionalisht, SHBA ka qenë një pjesëmarrëse kryesore në samitet e G20-s që prej krijimit të forumit në fund të viteve 1990 dhe sidomos pas krizës financiare të vitit 2008.
Për analistët vendimi i presidentit amerikan, për të mos marrë pjesë në samit i ka dhënë një mundësi Kinës që të zgjerojë ndikimin e saj në kontinentin afrikan.
Në këtë takim, pritet të diskutohen disa tema kryesore: si rritja ekonomike globale dhe ndikimi i inflacionit, investimet në energjinë e pastër dhe tranzicionin klimatik, zhvillimi i infrastrukturës dhe partneritete të reja ekonomike, veçanërisht me vendet afrikane, stabiliteti i tregjeve ndërkombëtare dhe zinxhirëve të furnizimit si dhe çështje të sigurisë globale, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe ndikimet në ekonomi.
Samiti shërben gjithashtu si platformë për takime dypalëshe mes liderëve.
G20 është forumi ku mblidhen 19 ekonomitë më të mëdha të botës, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, BE-në, Kinën, Indinë dhe Bashkimin Evropian.

