Trump akuzon 6 ligjvënës demokratë, kërkon arrestimin e tyre! Debat i ashpër në SHBA mbi thirrjet për mosbindje ushtarake

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar gjashtë ligjvënës demokratë për sjellje kryengritëse “të dënueshme me vdekje”, pasi ata publikuan një video që u bën thirrje ushtarakëve të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm. Retorika e ashpër ka ngjallur reagime të forta dhe po rrit shqetësimet për përshkallëzim politik në SHBA.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ngritur akuza të rënda ndaj gjashtë ligjvënësve demokratë, duke i cilësuar si individë që po kryejnë “sjellje kryengritëse, të dënueshme me vdekje”, pasi ata publikuan një video ku u kërkojnë ushtarakëve amerikanë të refuzojnë urdhra që bien ndesh me Kushtetutën.

Në një seri postimesh në Truth Social, Trump i quajti demokratët “tradhtarë” dhe kërkoi arrestimin e tyre, duke ndezur edhe më tej klimën politike.

Videoja, e shpërndarë nga senatorja Elissa Slotkin, përfshin senatorin Mark Kelly dhe kongresmenët Chris DeLuzio, Maggie Goodlander, Chrissy Houlahan dhe Jason Crow — të gjithë me eksperiencë në ushtri apo inteligjencë. “Ligji është i qartë: mund të refuzoni urdhra të paligjshëm,” thotë Kelly në video.

Deputetët theksojnë se ushtarët betohen për mbrojtjen e Kushtetutës, jo për bindje ndaj individëve në pushtet.

Trump reagoi menjëherë duke thënë se kjo deklaratë “nxit mosbindje në ushtri” dhe se përbën “sjellje kryengritëse në nivelin më të lartë”.

Në disa postime të tjera, ai shtoi: “Duhet vendosur një shembull. Arrestojeni. dhe ribotoi një mesazh që kërkonte dënime kapitale: “VARINI — George Washington do ta bënte!”.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt mohoi se Trump kërkonte ekzekutimin e ligjvënësve, duke thënë se ai reagoi ndaj një “thirrjeje të rrezikshme për t’i kërkuar 1.3 milion ushtarakëve të shpërfillin zinxhirin e komandës”. Ajo e cilësoi videon demokrate “të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”.

Reagimet politike ishin të menjëhershme. Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e akuzoi Trump për retorikë që “mund të sjellë humbje jete” dhe i kërkoi të tërhiqte deklaratat.

Ndërkohë, kryetari republikan Mike Johnson e mbrojti presidentin duke thënë se Trump “thjesht po përkufizon krimin e kryengritjes” dhe se vetë videoja e demokratëve ishte “jashtë çdo norme”.

Në këtë klimë tensioni të lartë, deklaratat e Trump dhe reagimet e ligjvënësve po konsiderohen nga analistët si shenjë e rrezikshme e degradimit të dialogut politik në SHBA, me pasoja të mundshme të drejtpërdrejta në sigurinë publike dhe stabilitetin institucional.