VIDEO/ “Safari i njeriut”: Akuzat tronditëse mbi snajperët e huaj në rrethimin e Sarajevës

Gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996), një nga periudhat më të errëta të luftës në Bosnje, po dalin në dritë akuza tronditëse për praktika çnjerëzore të kryera nga grupe të organizuara snajperësh.

Dëshmitë e përfshira në një kallëzim zyrtar të paraqitur në prokurorinë e Milanos flasin për një skenar makabër, në të cilin civilët e pambrojtur ktheheshin në “pre” për të huaj të pasur të ardhur enkas për të vrarë.

Plagosja e qëllimshme dhe pritja mizore e viktimave

Sipas kallëzimit, snajperët serbë që vepronin nga kodrat përreth Sarajevës ndjeknin një metodë të llahtarshme: godisnin viktimën me plumbin e parë duke e lënë të plagosur rëndë dhe prisnin që dikush të afrohej për t’i dhënë ndihmë. Në momentin kur banorët ose personeli i shpëtimit përpiqeshin të ndihmonin, masakra riniste.

Fëmijët, gratë dhe civilët myslimanë ishin mes objektivave kryesore. Më e rënda, sipas dëshmive, është se për të vrarë një fëmijë jepeshin edhe “shpërblime” më të larta monetare.

Gjatë rrethimit, në Sarajevo u vranë mbi 11 mijë persona, prej të cilëve rreth 2 mijë fëmijë. Në të gjithë vendin, lufta civile mori mbi 100 mijë jetë.

VIDEO/ “Safari i njeriut”: Akuzat tronditëse mbi snajperët

Turistë të pasur që paguanin për të vrarë

Në dokumentation përmendet funksionimi i një rrjeti të mirëorganizuar që transportonte “turistë të snajperizimit” – kryesisht njerëz të pasur nga vende të ndryshme evropiane – drejt kodrave të Sarajevës.

Këta persona, të përshkruar si të dhënë pas armëve, ekstremistë të djathtë, ish-ushtarakë apo gjuetarë të fiksuar pas adrenalinës, paguanin shuma të mëdha për të qëlluar mbi civilë të pafajshëm.

Udhëtimi i tyre, sipas kallëzimit, fillonte zakonisht nga Trieste, me fluturime drejt Beogradit, për t’u transferuar më pas në Serbi dhe drejt pozicioneve të snajperëve rreth Sarajevës. Ata qëndronin për dy ose tre ditë — të premten, të shtunën dhe të dielën — dhe më pas ktheheshin në jetën e tyre të përditshme.

Këta persona u quajtën “snajperët e fundjavës”.

Dëshmitarë: “Safari njerëzor ishte i organizuar dhe shumë i fshehtë”

Një ish-oficer i inteligjencës ushtarake boshnjake raporton se operacioni ishte i mirëstrukturuar dhe kishte mbështetje logjistike nga shërbime dhe institucione serbe.

Sipas tij: safari njerëzor zgjati nga viti 1993 deri në 1995, përdorte transport ajror dhe tokësor të koordinuar nga Serbia, ruhej me sekret strikt, përfshinte persona shumë të pasur dhe me ndikim politik në vendet e tyre.

Dëshmitarë të tjerë përmendin madje praninë e profesionistëve serbë të inteligjencës shtetërore, të cilët mbronin dhe shoqëronin këtë aktivitet të paligjshëm.

Një dëshmitar tjetër tregon se disa nga pilotët që transportonin snajperët u kërcënuan me vdekje për të mos folur.

Dëshmi për pjesëmarrjen e të huajve, përfshirë italianë

Në dëshmitë e mbledhura përmendet se midis pjesëmarrësve mund të ketë patur shtetas amerikanë, kanadezë, rusë dhe italianë. Midis italianëve përmenden tre profile: një nga Torino, një nga Milano dhe një nga Trieste.

Gjithashtu përmendet edhe emri i një sipërmarrësi italian, pronar i një klinike estetike, i dyshuar se ka qenë i përfshirë si “klient”.

Sarajevo Safari – dokumentari që ngriti zërin

Çështja u rihap publikisht pas dokumentarit slloven Sarajevo Safari, i cili solli dëshmi të reja për ekzistencën e “gjuetisë së njerëzve” të kryer nga të huaj të pasur në pozicionet e ushtrisë serbe gjatë rrethimit.

Reagimi zyrtar nga Sarajeva

Më 20 shtator 2022, kryetarja e bashkisë së Sarajevës (mandati 2021–2024) paraqiti një kallëzim zyrtar pranë Prokurorisë së Bosnje–Hercegovinës.

Ajo kërkoi hetim të plotë, duke theksuar se civilët që dilnin për të marrë ujë e bukë përfundonin të qëlluar nga snajperët e huaj të lejuar nga ushtria e Republikës Srpska.

Sipas një oficeri të shërbimeve sllovene, për të qëlluar një fëmijë jepeshin edhe pagesa ekstra.